Albert Zholi
Artemisa
Ishte një mbrëmje e bukur maji. Aroma e luleve dhe ajri i pastër të ngjiznin dëshirën për jetën. Ka kaq shumë ngjyra, ka kaq shumë mrekulli sa kjo lexohet në fytyrat e të gjithëve. Për shumë njerëz ky muaj është më i bukuri, më i pëlqyeri. Sidomos për nxënësit e shkollave. Sheshet e kryeqytetit mbushen plot e përplot sidomos Parku Rinia dhe kodrat e liqenit artificial. Ashtu, të veshur me xhinse të grisura dhe vajzat me fustanka më të lehta që i valëviten trupit si erë.
Atë mbrëmje të këndshme Osmanin, ndryshe nga të tjerët, këmbët po e çonin në maternitet. Gruaja e tij, Florjana do të lindte. E kishin çuar para disa orëve të afërmit, pasi ai ishte në punë. Të afërmit e prisnin aty dhe ndoshta Florjana kishte lindur. Ai do të ishte i fundit që do të merrte vesh se çfarë do të ishte, djalë apo vajzë. Kishte një djalë 4 vjeçar, Landin dhe përsëri donte djalë. Këtë ia kishte shfaqur dhjetëra herë të shoqes. Ajo e kundërshtonte me humor:
-Hajde t’ju duroj juve, pastaj. Tre meshkuj me një femër. Këto bluante në mendje kur mbërriti pa kuptuar pranë spitalit gjinekologjik. Është një sensacion i bukur kur pret të vijë një fëmijë në jetë. Frika dhe dëshira janë të mëdha. Por më e rëndësishmja është që të lindë një fëmijë i shëndetshëm dhe gruaja të ketë një lindje të mbarë. Jeta është mrekulli. Sa e panë të afërmit iu turrën pranë, pa atë gëzimin që duhej shprehur në kësi rastesh. Ata të gjithë e dinin dëshirën e tij për një mashkull tjetër. Askush nuk merrte guximin të fliste. Rreth 10 vetë gra e burra të moshave të ndryshme iu afruan në formë rrethi dhe filluan ti rrahin shpatullat dhe ta përqafojnë. Sihariqin ia dha vëllai Agimi:
-Të të rrojë vajza! Shëndoshë si molla janë të dyja! -dhe i buzëqeshi. Edhe ai u mundua ti kthejë buzëqeshjen paksa të mpirë. U fut brenda në spital dhe nga xhami i derës pa mëmë dhe bijë. Buzëqeshi edhe njëherë pa kënaqësi dhe u largua. Në psikikën e shqiptarit një djalë është një dhuratë, një vajzë është ca halle më shumë. Kushedi si do e ketë fatin. Rruga për në shtëpi nën shoqërinë e të vëllait i bëri mirë. Biseda rrodhi për fisin, shoqërinë, punën, fëmijët, detyrat prindërore etj...Ishte viti 1984. Vit kur në Shqipëri po zhvilloheshin ngjarje interesante. Ekonomia shqiptare po kalonte një kolaps të paparë. Në dyqane për çdo ditë shiheshin vetëm vitrinat bosh.
Njerëzit pakënaqësitë po i shfaqnin më hapur, papunësia po rritej. Edhe në këtë gëzim, Osmani nuk dinte ç’të bënte. Si ti priste ai miqtë dhe me çfarë të festonte. Do të duhej ti lutej shitësit të dyqanit të mishit për një kile jashtë radhe apo në dyqanin ushqimor për një shishe verë nën dorë. Kur mbërritën në shtëpi e gjetën atë të mbushur plot. Agimi si vëllai më i madh kishte autoritet mbi të afërmit dhe prezenca e tij gjithmonë sillte vëmendje. Vetëm nëna e tyre Thëllëza bënte përjashtim nga rregullat e komunikimit. Asaj i lejohej të fliste më tepër dhe me ndonjë fjalë që ishte jashtë edukate... Pasi zunë vend të gjithë biseda kaloi natyrshëm për emrin.
-Unë them t’ia vëmë Esmeralda-tha motra e tyre, Natasha.
-Jo, s’na pëlqen, - thanë në një gojë shumë të pranishëm. -Pastaj vajza jonë nuk është ezmere, ajo është e bardhë si bora në male
-Adelina-tha gruaja e Agimit. Heshtje! Asnjë reagim.
Por si duket askujt nuk i pëlqeu dhe ky emër.
-Është emër shumë i përhapur-tha Agimi.
-Atëhere do t’ia vendosim Artemisa -tha nënë Thëllëza. Të gjithë panë njëri tjetrin në sy. Iu duk emër interesant. Bile i padëgjuar.
-Ku e ke dëgjuar këtë emër nënë? – e pyeti Osmani.
-Është një nga emrat më të bukur që kam dëgjuar. Ka qenë një shoqja ime mësuese që e ka pasur këtë emër. Kisha merak që po të bëja një vajzë, emrin Artemisa do t’ia vija. Ishte shoqja ime më e mirë. Një grua shembullore, e rregullt, e pastër, e qeshur, e respektueshme, e komunikueshme, që me të vërtetë aty ku shkelte shpërndante freski. Ishte si një pikë vese në freskinë e mëngjesit pranveror. Kam vite pa e parë pasi ajo u transferua në një shkollë tjetër. Ajo kishte një emër të rrallë pasi dhe vetë e tillë ishte shumë e rrallë. Dukej sikur ai emër kishte lindur për të dhe ajo për atë emër. Ishin një duet i papërsëritshëm deri në kohëzgjatjen e njohjes sime dhe deri tani. Rrëfimi i nënës ishte i magjishëm.
-Ta gëzojë emrin!-tha i pari Agimi.
-Ta gëzojë!-tha dhe Osmani.
-Ta gëzojë!-thanë dhe të tjerët në një zë.
Pastaj gruaja e Agimit u ngrit për të qerasur. Atmosfera ndryshoi. Një atmosferë e gëzueshme si ne ditë dasme. Osmanit tashmë i dukej sikur ishte më mirë që lindi vajzë.
Landi i mbështetur tek gjunjët e tij e shikonte si i hutuar.
-Babi, ku është mami? -e pyeti ai.
Të gjithë qeshën dhe filluan ta marrin atë nëpër duar duke e puthur dhe duke i thënë:
-Të të rrojë motra!
Atë mbrëmje e gdhinë duke biseduar dhe duke kënduar.
***
Kur mbushi 16 vjeç, Artemisa, mori një zhvillim të paparë. Bionde, me gjinj të kolme, e gjatë, sy bojëqielli, me qerpikë të gjatë, trupdrejtë ajo s’kishte si të mos binte në sy të meshkujve. Por edhe shoqet e shihnin me habi. Dhe pse në vitin e dytë të gjimnazit ajo tregonte si një studente e vitit të dytë apo të tretë. Edhe mësuesit e gjimnazit e shihnin vjedhurazi me admirim. Mbi të filluan ngacmimet nga të gjithë kalibrat e meshkujve. Por ajo vetë nuk po e kuptonte ndryshimin. Vetja i dukej si të gjitha shoqet e tjera. Bile kishte shoqe që i vlerësonte më shumë se vetja si nga bukuria e fytyrës edhe nga hijeshia e trupit.
Ishte një nxënëse e mirë dhe kishte krijuar marrëdhënie korrekte me shoqet dhe shokët. Prindërit ishin tepër kërkues ndaj saj. Prindërit ishin tepër fanatikë dhe pse babai ishte treguar tashmë shumë e afruar dhe i dashur me të duke e diferencuar nga vëllai Landi. Nënës nuk i pëlqente ky diferencim, aq më tepër që ajo ishte femër dhe në këtë situatë të rëndë që po kalonte kryeqyteti, ku femrat gjuheshin nga djem rrugaçë për trafikim dhe prostitucioni ishte shtruar këmbëkryq. Por Artemisa ishte vetë një karakter i qëndrueshëm dhe kërkuese ndaj vetvetes. Ishte korrekte në shkollë dhe punëtore në shtëpi. Shumë çuna e ngacmonin në rrugë.
-Ej, kinge ktheje pak kokën të na heqësh vapën.
Më tutje një tjetër:
-Të vdektë nëna të vdektë, se na plase zemrën. Kur i flisnin për nënën, mezi e mbante vendi. Donte ti kthehej dhe ta qëllonte me grushte. Mezi e përmbante veten.
Por më pisk e kishte tek kthesa e fundit e pallatit pranë rrugës kryesore. Aty çdo ditë e priste një djalosh ezmer rreth të 25-ve që e dinte në mënyrë të përpiktë orarin e lëvizjes së saj. Ai mbështetej tek muri i pallatit, thyente pak këmbën e majtë, kryqëzonte duart dhe e shihte me kokën mënjanë duke i thënë:
-Më vraftë rrufeja më vraftë. Buzëkuq i buzëve të tua u bëfsha po s’të putha njëherë. Edhe në varr do fle i qetë me portretin tënd në ëndërr.
Këto fjalë që i kishte mësuar përmendësh i thoshte shpejt që ajo ti dëgjonte të gjitha brenda disa sekondave ku ajo i dëgjonte qartë tingujt. Ndërsa i kishin ngelur në mendje fjalët e një gjimnazisti që e takoi rastësisht në një aktivitet letrar. Ai ishte letrari më i mirë i gjimnazit. Henri kur po mbaronte aktiviteti në korridor i tha nën zë me emocion:
-Sytë e tu rrëzojnë rrufetë, jo zemrën pulë të një gjimnazisti. Të lutem drejtoi sytë nga qielli që dhe ai të marrë pak nga shkëlqimi yt.
Dhe shumë episode të rastësishme që ajo as që i merrte në konsideratë, pa le ti mbante në kujtesë. Ndiqte me vëmendje radio Tiranën sidomos emisionin "Me shpirtin tek kënga popullore" ku shpesh herë drejtuesi i emisionit Andi, hapte Anketën këngëtarja e më e mirë e emisionit të ditës së diel (Hiti i ditës), kënga më e mirë e javës, muajit vitit. Ndiqte me vëmendje anonçimin e gazetarit në radio të hiteve të këngëve dhe telefonatat e panumërta të dëgjuesve të Radio Tiranës kudo në Evropë. Radioja i dukej tepër magjike. Shumë herë më mirë edhe se televizioni.
Edhe punonte edhe dëgjonte. E hapte zërin e radios sa të dëgjonte në të gjitha ambientet e shtëpisë dy dhoma e kuzhinë kur lëvizte për punë. Shpesh herë merrte në telefon dhe shprehte mendimin e saj për këngëtarë të ndryshëm. U bë një nga dëgjueset më të rregullta të Radio Tirana aq sa gazetari drejtues i emisionit për këngën popullore e njihte menjëherë nga zëri, por jo vetëm atë, por edhe shumë dëgjuese të rregullta. Nga këngëtaret ajo veçonte Eli Farën. Kënga e kurbetit ishte kënga më e dashur e saj. Gjithë ditën ta dëgjonte nuk ngopej. Kishte vënë një rregull në vetvete. Kur kthehej nga shkolla hante bukë, flinte 1 orë gjumë. Pastaj fillonte bënte mësimet. Nga ora 17-19-00, dëgjonte radion duke bërë dhe punët e shtëpisë. Nënën e ndihmonte në pjesën më të madhe të punëve. Rrallëherë dilte nga shtëpia. Edhe kur dilte shkonte tek një shoqe e pallatit ose tek shtëpia e xhaxhait që për shans ishte ballë për ballë.
Ky rregull vazhdoi për një vit. Ajo tashmë ishte bërë pjesë e radios dhe një nga të preferuarat e drejtuesit të emisionit, pasi kishte dhe një zë të veçantë radiofonik që ia kishin vënë në dukje dhe shumë shoqe dhe shokë që e ndiqnin emisionin.
***
Atë pasdite shtatori, në radio, Andi e hapi emisionin me këngën e saj të dashur të kurbetit. Sa u gëzua. Mblodhi duart rreth trupit nga gëzimi dhe u ul në divan. Pastaj ai anonçoi një këngë të re të një këngëtareje të re vlonjate. Ishte një këngëtare që po bënte bujë me këtë këngë dhe pse e panjohur më parë në rrethet e këngëtareve popullore. Edhe asaj i pëlqeu kënga. Kishte tekst dhe muzikë të bukur. Këngëtarja nuk sforcohej, kishte një zë potent, ishte e sigurt. Nuk duroi por ngriti receptorin e telefonit dhe formoi numrin e radios.
-Alo?
-Urdhëroni flisni, Artemisa - u përgjigj menjëherë Andi. Ajo nënqeshi. Ai dhe me frymëmarrje i njihte bashkëpunëtorët.
-Më pëlqen shumë kjo këngë megjithëse e dëgjoj për herë të parë. Këngëtarja ka një vokal admirues. Një lidhje e bukur e tekstit me muzikën. Duket sikur ajo këndon mbi valë, sikur fluturon të përhap gëzimin e jetës, dëshirën për paqe, të lehtësojë shpirtrat njerëzorë nga ankthet e përditshme të jetës plot probleme. Ajo të mbërthen për të të thënë Kjo është jetajetoje. Njeriu ka ardhur në jetë të gëzojë bukuritë e saja. Ajo foli si asnjëherë tjetër. Saktë, bukur, pa emocion. Për disa momente edhe vetë Andi s’po e mblidhe veten. Duke mos mbajtur asnjë rezervë ai nga valët e radios i emocionuar tha:
- Artemisa, po ndërrojmë rolet. Ti mund të bëhesh një prezantuese dinjitoze. Më befasove. Si e keni mbiemrin?
-S’ka rëndësi. Mirëudëgjofshim!-tha ajo dhe mbylli receptorin. Tani e ndjeu më shumë atë moment. Diçka ndjeu në gjoks. Thellë në gjoks. Një sëmbim një ngazëllim. Një ndjenjë që se kishte shijuar asnjëherë. U mbështet në divan dhe meditonte. E përfytyronte veten në kufjet e radios. E përfytyronte duke drejtuar një emisionin rinor një emision që do të thithte me mijëra dëgjues anembanë Evropës ku përhapeshin valët e radio Tiranës. Sa i pëlqeu ky mendim. Me të vërtetë e vlerësoi Andi, apo bëri një shaka si bën me shumë dëgjuese? Po mbiemrin pse e donte.
Aq më tepër në radio. Emisioni vazhdonte dhe ajo ishte hera e parë që nuk e dëgjonte me vëmendjen e mëparshme. E humbi nocionin kohë. Hapi krahët mbi shpinoren e divanit dhe meditonte dhe meditonte. Kushedi sa do të rrinte nën ëndrrën e drejtimit të një emisioni sikur në atë kohë të mos vinte nëna. Ajo as që e vuri re. Nëna e pa me habi. Nuk e kishte parë asnjëherë në këtë gjendje vajzën, të përhumbur në ëndërrime:
- Artemisa, ç’ke kështu moj bijë tundu! - i tha e ëma duke iu afruar. Ajo u ngrit e trembur përpara se nëna të ulej pranë saj.
-Ç’ke moj bijë?
-Asgjë, çfarë kam.
-Po ti e ke humbur fare...
-Si e kam humbur..?
-Si e ke humbur? Po ja po fle me sy hapur ose ke pirë hashash. Si të vijë nëna me gjithë atë zhurmë dhe të mos dëgjosh. Mos të ka sharë njeri. Mos të ka ngacmuar njeri.
Mos...
-Jo moj nënë, -hej bela.
-Eshtë problem me femrat. Mos ke rënë gjë në dashuri moj derë humbur!
-Ç’thua moj nënë, ç’thua. Në këtë kohë zëri i radios erdhi më i qartë.
-Po e mbyllim sot këtë emision ku me të vërtetë ka pasur shumë surpriza dhe...
Freskida u drejtua nga radioja se mos Andi thoshte ndonjë gjë të veçantë. Por, jo. –Mirupafshim!- tha ai.
-Ç’është moj bijë, ç’është! Njëherë humbet vështrimin në ëndërrime, njëherë shtangesh, njëherë eh, s’je në terezi sot.
***
Atë pasdite në ambientet e Radio Tiranës zhvillohej një takim me bashkëpunëtorët, dëgjuesit e rregullt dhe fituesit e konkurseve të ndryshme që Radioja kishte zhvilluar gjatë vitit. Për fituesit do të faleshin edhe CD të këngëtarëve më të mirë të këngës popullore. Ishin shumë të ftuar. Pas përshëndetjes së Drejtorit të Radios për bashkëpunëtorët filluan të ndahen CD për fituesit e konkurseve. Pjesa dërrmuese e dëgjuesve dhe bashkëpunëtorëve nuk e njihnin njëri tjetrin. Ata ishin nga gjithë Shqipëria dhe e njihnin njëri- tjetrin vetëm nëpërmjet zërit që përhapte radio Tirana.
Në këtë moment Andi del në podium dhe thotë: Për pjesëmarrje aktive dhe fitimin e një konkursi për gjeografinë, dëgjuesja e rregullt Artemisa (mbiemrin s’na e ka thënë) fiton një CD me këngë të Eli Farës. Ajo rrinte në fund të sallës. Vetëm. Kur dëgjoi të përmendej emri i saj, u trondit. U emocionua. Si kishte mbushur ende 17 vjeç. E ndjeu se u skuq tej mase. Këmbët për të shkuar për të marrë CD nuk po i bindeshin. Të gjithë shihnin majtas djathtas për të parë se kush ishte Freskida. Ajo e kuptoi që e teproi dhe bëri përpara. Grumbulli i të ftuarve u hap. Ajo drejtoi trupin dhe u nis drejt podiumit.
-U çfarë kinge! -dëgjoi një zë.
-Marshallah, marshallah, jemi bërë si me porosi-ja krisi një tjetër. Edhe pse u skuq më shumë shkoi e sigurt para. Andi u shtang dhe më shumë. Nuk e besonte të ishte kaq e bukur. Elegante, sytë, flokët, ecja, fytyra e saj ishin një harmoni e plotë femërore që kushdo do të kishte dëshirë të ishte pjesë e vetvetes. Kur ajo i dha dorën, Andi u skuq më shumë se ajo.
-Faleminderit Radio Tiranës. Jeni një Radio e mrekullueshme! -kaq tha ajo dhe me CD në dorë shkoi në drejtimin ku ishte më parë. Nga salla duartrokitën. Pas pak minutash drejtuesi i mbrëmjes i ftoi të pranishmit në një koktej nën shoqërinë e muzikës. Ajo u fut mes turmës. Ju afruan menjëherë disa nga dëgjueset e Radios që ajo i kishte njohur nëpërmjet zërit. Ato ju prezantuan. Filluan të diskutonin. Në këtë kohë pranë tyre vjen Andi. Pasi i takon të gjitha me radhë, i pyet në detaj.
-Po ti Artemisa përse nuk e thua mbiemrin si shoqet?- e pyeti Andi duke qeshur. Si duket ke ndonjë problem?
-Jo aspak. Nuk kam asnjë problem. Çfarë problemi të kem!
-Atë e di ti!- i tha sërishmi ai, me të qeshur.
-Meqenëse jeni kaq kureshtarë po ua them. S’ka pse të kem frikë të them mbiemrin. Artemisa Mati.
-Matiii?- u habit Andi.
-Pse u habite?. Kujdes mos të ikën zëri-e ngacmoi ajo tashmë e qetësuar disi.
-Po këtë mbiemër kam dhe unë. - tha ai duke shprehur një habi. Ajo mblodhi buzët në mënyrë indiferente. Me këtë veprim ajo donte të thoshte se nuk i interesonte fare.
Ndërsa ai që ziente përbrenda ishte Andi. Ai kishte kohë që e dashuronte. Sigurisht në heshtje. Kur merrte ajo në telefon ai për disa momente e humbte fillin. Veten e mblidhte pas disa minutash. Dhe për ta kaluar këtë gjendje i thoshte teknikut të zërit nga ana tjetër e studios të vazhdonte me muzikë. Kishte filluar ta kaplonte kjo ndjenjë pas disa muajsh komunikimi mes telefonatave në radio. Ndërsa sot, pasi e pa nga afër trupi filloi ti dridhej nga emocioni. Sot e ndjeu përfundimisht se e dashuronte atë vajzë. E dashuronte sinqerisht. Ndërsa mbiemri i saj i solli plogështi. Mbiemër i njëjtë. Mos vallë ishin kushërinj? Mos ishin të afërt me njëri tjetrin? O zot, sa do të dëshironte të mos ishte asgjë nga këto mendime kaq të këqija për ndjenjën e tij të bukur. Me marifet e shkëputi Artemisan nga grupi dhe filloi ta pyesë:
-Ku banon, ku punon babai, nëna, nga janë me origjinë. Ai donte ti nxirrte fundin kureshtjes së tij për pasjen e të njëjtit mbiemër.
-Shumë pyetje më bën? Mos vallë kam bërë ndonjë gabim ndaj teje?
-Jo, jo. Por ja më vjen çudi...Ndoshta, ndoshta jemi dhe tanët dhe nuk njihemi...Por nuk besoj jo, se do ishim bërë. Ja për këtë pyes, mos...
Po thellë-thellë, ai gënjente dhe gjetiu e kishte mendjen. Kurrë nuk do e besonte dhe nuk do të donte të ishin kushërinj.
Ai ndiente diçka tjetër për të.
-Mos ndoshta nuk do të më thuash edhe ku banon?
-Pse ka ndonjë arsye që duhet të ta them?
-Por ja që të marrim vesh më mirë, jemi apo s’jemi tanët?
-E ç’lidhje ka kjo me lagjen?
-Ndoshta prindërit kanë pasur lidhje dhe janë larguar siç janë rrjedhat e jetës. Ndoshta, ku di unë..
-S’ka përse e lodh veten kaq shumë. Edhe po të jemi tanët do të ishte shumë mirë. Nuk do të pëlqente ty të ishim kushërinj. Dy kushërinj të pasionuar pas radios njihen në një mbrëmje. Shumë romantike apo jo?
Atij i vinte të pëlciste edhe pse ajo fliste me shumë seriozitet dhe çiltërsi. Pas disa çastesh ajo kërkoi të falur sepse donte të largohej
-Të të shoqëroj unë? – e pyeti Andi.
-Jo, jo se më pret vëllai jashtë. - i tha ajo natyrshëm.
-Pse e vogël je ti?
-Pse të dukem e madhe? Familja ka rregull. Unë s’mund të lëviz kurrë jashtë natën e vetme. Atij i erdhi mirë për këtë mënyrë jetese por edhe i erdhi inat pse nuk kishte mundësi ta përcillte.
-Po adresën, telefonin, shkollën nuk mund të na e thuash. Bashkëpunëtorët duhet të bashkëpunojnë apo jo? – i tha ai.
-Janë gjëra të panevojshme. Ndoshta do takohemi rastësisht. Mësoj në shkollën "Ismail Qemali"- i tha më në fund ajo me një menefregizëm të çuditshëm ajo. Ky indiferentizëm e çarmatosi dhe e nevrikosi Andin. Ishte hera e parë në jetë që i ndodhte kështu me një vajzë. Por ishte ndoshta dhe vajza më e bukur dhe interesante që ai kishte njohur apo kishte parë ndonjëherë.
-Natën e mirë! -i tha ajo duke i zgjatur dorën
-Natën e mirë - i thotë ai me gjysmë zëri duke ia shtrënguar dorën asaj deri në dhembje. Ishte duke klithur, por mezi e mbajti veten. Se si ju duk kjo sjellje. Ndryshe nga çdo sjellje me çdo kontakt mashkulli të deritanishëm. Ju duk i shumë dëshirueshëm për komunikim dhe këmbëngulës. Pa diskutuar për interesimin dhe kujdesjen e veçantë.
***
Disa paradite rresht, Andi rrinte pranë gjimnazit "Ismail Qemali". Shikonte me kujdes me kë shoqërohej, me kë vinte në shkollë, kë kishte në klasë. Ku e kishte klasën, cila ishte shoqja e ngushtë, po shoku. Së fundi për të vënë kapakun çdo interesimi të tepërt pyeti vëllanë e një shoku që punonte në radio me të. Ai i tha se ku e kishte shtëpinë dhe hollësira të tjera që e mundonin. Kishte kohë që tashmë emisionin e tij në radio e hapte me këngën e dashur të Artemisës. Ajo e ndjente tashmë se ai diçka kishte në lidhje me të. I bëhej qejfi pa masë kur dëgjonte zërin e tij në hapjen e emisionit duke thënë:
-Ju flet Radio Tirana. Tashmë jemi në emisionin "Magjia e këngës popullore". E hapim emisionin me këngën e bukur...- dhe ajo shtrëngonte në krahët e saj jastëkun e divanit e kënaqur nga lumturia. Shtrihej në divan, rrotullohej, mbyllte sytë nën efektin e tingujve mbrekullues të këngës. Dhe atje në radio ai...
Atë pasdite prilli pasi dëgjoi emisionin me të njëjtën vëmendje ajo filloi të bëjë detyrat. Por nuk po përqendrohej. Emisioni i sotëm ju duk më interesant. Kishte shumë telefonata. Këngët ishin me të vërtet të bukura. Disa herë u mat të merrte në telefon, por sa herë e merrte receptorin në dorë, ndërronte mendje. Emocionohej. Pas takimit në Radio rrinte më e rezervuar. Thuajse nuk merrte në telefon në emisionin që drejtonte Andi. Pas takimit i dukej se ai çdo telefonatë të sajën do ta merrte si telefonatë në drejtim të tij se sa për emisionin. Thjesht kështu i ishte tiposur. Nuk harronte momentin e emisionit të sotëm, kur ishte afër fundit. Në momentin që mori një nga dëgjueset e rregullta të emisionit nga Saranda Andi tha:
-Sot morën të gjitha dëgjueset e rregullta dhe bashkëpunëtoret, por ka ditë që nuk ka marrë vetëm një, vetëm një. Mos ndoshta është e sëmurë? I urojmë shërim sa më të shpejtë dhe kthim të mbarë në shoqërinë tonë me një shtrirje gjeografike që vlen për tu admiruar. Këto fjalë nuk po i shqiteshin nga mendja. I rrotullonte disa herë nëpër mend. Filloi të vinte vërdallë dhomës së gjumit. Ulej në karrige, ngrihej, ulej në krevat, ngrihej, ulej në divan... Nuk ishte e qetë. Çdo gjë i dukej mbytëse, tepër mbytëse. Donte të dilte jashtë, të dilte vetëm nga kodrat e liqenit dhe të merrte ajër të pastër. Donte të bisedonte me veten. Mos vallë gjithë ky ankth kishte lidhje me Andin? Në këtë moment dëgjoi zërin e nënës.
- Artemisa, na bëj një kafe se jemi në ballkon me tezen. Zëri i nënës sikur e solli në vete. E shkundi. Edhe i duhej edhe si duhej ky zë. Por më mirë që i ndërroi klimën e mendimit. Kishte mbi gjysmë ore që kishte mbaruar emisioni dhe ajo sorollatej kot më si koti në dhomë. Shkoi në kuzhinë dhe bëri dy kafe. Mori tabakanë dhe u drejtua në ballkon. Hyrja e tyre ishte në katin e dytë të një pallati të tipit komunist dhe ballkoni ishte sipër rrugës kryesore të lagjes. Aty shikoje çdo lëvizje pasi ishte si në një kodrinë dhe pallatet e tjerë ishin të një tipi standard.
-Urdhëroni!- i tha tezes së parës dhe pastaj nënës.
-Hë moj bijë si je me mësime? Shiko të mësosh se të kemi ajkën e fisit. Të mos na turpërosh se! -dhe i tundi duke qeshur gishtin tregues. Artemisa në pritje të përfundimit të kafeve të nënës dhe tezes me tabaka në dorë u kthye me fytyrë nga rruga duke u mbështetur në parmakët e betonuar të ballkonit. Sa hodhi sytë në rrugë, shtangu. Përballë, pak majtas ku ishte vendosur një shtyllë e tensionit të lartë ajo pa të mbështetur Andin. Se besoi. Fshiu sytë me mollëzat e duarve. Po, po! Ishte e vërtetë. Ishte dora vetë, Andi. Ai e pa, tundi kokën i buzëqeshi dhe hodhi vështrimin në drejtim tjetër, për të mos rënë në sy të të afërmve të saj. Asaj iu mjegullua shikimi. Gjunjët filluan ti dridheshin. Papritur tabakaja i ra nga duart gjithë zhurmë.
-Ç’pate moj bijë-i tha e ëma.
-Hiç, ja mu përplas në gjunjë dhe ra,
-Po ti je zverdhur si limoni? – i tha ajo sërishmi -Nuk e di se si më erdhi. U turbullova. Po s’kam asgjë - dhe hyri me vrull brenda.
U ul në karrige. Për disa minuta rrinte si e hutuar.
As lëvizte asnjë muskul të fytyrës. Thjesht si një statujë.
- Artemisa, mirë je? -dëgjoi sërishmi zërin e nënës.
-Mirë, mirë jam. –i tha ajo instinktivisht pa e pasur mendjen tek nëna. U ngrit në majë të gishtërinjve sikur të mos e dëgjonte njeri shkoi në dhomën e gjumit. Hapi paksa perden dhe pa jashtë. Ai ishte aty. Si duket e ndjeu hapjen e perdes sepse menjëherë buzëqeshi, ngriti dorën në ajër në formë përshëndetjeje dhe u largua.
***
Pasi u largua, Andi u drejtua për tek Posta Qendrore. Mori një libër të adresave telefonike të Tiranës dhe nisi të shfletojë. -Mati, Mati...M, m, m-ja Mati. Tani Osman. Pasi shënoi numrin e telefonit shfryu. U lehtësua. Tani dinte dhe numrin e telefonit dhe adresën e shtëpisë. Nuk do i ndahej. Nuk priti më. Bleu një kartë telefoni dhe u drejtua në kabinën më të afërt. Formoi numrin dhe priti.
-Alo-u dëgjua nga ana tjetër e telefonit.
E njohu zërin e saj. E njihte mes miliona zërash. Vetëm ta dëgjonte. Ishte kthyer në melodinë e jetës së tij ai zë. Për pak e humbi. Nuk dinte ç’ti thoshte. -Alo-u dëgjua sërishmi.
- Artemisën dua, ju lutem!
- Artemisa jam. -tha ajo, duke mos e njohur zërin emocionues të Andit nga ethet e mëparshme.
-Unë jam Andi, e dashur. Andi i radios. Andi Mati, mbiemër i përbashkët. Tashmë heshtje nga ana tjetër e telefonit. Telefoni i ngriu në vesh. Trupi filloi ti dridhej. Në trup po i kalonin mornica. Dora i tundej si purtekë.
-Po, çfarë doni? Mos vallë babanë...?
-Ty të dua. Ty. Nuk e di, apo nuk e kupton.
Artemisës gjunjët po e lëshonin. U ul në karrige. Djersë të ftohta po i kalonin në ballin e mermertë. Psherëtiu.
-Ç’ke? Pse nuk përgjigjesh? Nuk më kupton? Të dua. Të dua. Të puth shumë, shumë. Por më shumë në gjumë. Pafshim!-dhe e mbylli telefonin. Uff-shfryu i gëzuar dhe i emocionuar njëkohësisht. Kishte hequr një barrë nga vetja. Një barrë të rëndë. Nuk besonte se do t’ia thoshte kaq lehtë këto fjalë. I kishte menduar për muaj dhe ja se si i dolën. Natyrshëm. Pa shumë mundim, kur atij i dukeshin si provimet më të vështira të jetës. Ndërsa ajo rrinte ende me telefonin në dorë tashmë të mbështetur në gjunjë. Nuk po i besonte as syve as veshëve. Vetja i dukej si në rrugëtimin në një planet të panjohur. Në një planet të largët.
Çdo gjë i dukej si në një film fantastiko -shkencor.
I dukej ky moment sa i bukur dhe aq turbullues, sa i shumëpritur aq dhe bezdisës, sa qetësues aq dhe shqetësues. Sa realist aq dhe fantazues. Sa i gëzueshëm aq dhe i trishtueshëm. Sa magjik po aq ankth ndjellës. Një moment midis reales dhe irreales. Midis magjikes dhe tragjikes së humbjes së qetësisë së përjetshme. Kjo është dashuria? -mendoi ajo dhe pasi vuri telefonin në vend u shtri duke u futur në botën e ëndrrave të bukura të dashurisë që vetëm e kish lexuar por asnjëherë nuk e kish menduar si të tillë. Kështu është dashuria? Ëndërrime, ëndërrime, përhumbje, shpërqendrim, gëzim, dhembje, shpresë, ankth, meditim? Dashuria një enigmë kaq e madhe dhe e çuditshme... Asnjëherë nuk dihet se kush është njeriu me të cilin bihet në dashuri. Ai është kaq i veçantë. Ai është diku duke të pritur. Ai mund të lindi nga një mister. Është zëri, është mendja, është pamja. Dashuria të gllabëron një ditë dhe është një ndjenjë e mahnitshme. Të bën të shkosh në vise të largëta që s’ke shkuar kurrë. Dhe është një planet çudibërës.
***
Mbas asaj dite, Andit iu bë refleks që pas emisionit në orën 19-00 do ti bënte telefonatë Artemisës. Ky komunikim midis tyre u kthye gati në një rit. Përjashto të dielat ajo rrinte në pritje të rënies së telefonit. Ditët e para pas emisionit ajo nuk e priste telefonatën. Megjithëse e mendonte. Por pas ditës së parë, fill pas emisionit të Andit në radio ajo ishte gati ti sulej telefonit e bindur se zilja binte për të. Por tashmë dilte një problem. Ai i familjes. Babi, nëna, vëllai, një ditë do ta kuptonin.
Ajo nuk kish mbushur as 17 vjeç. Filloi të mendonte lloj-lloj variantesh që në atë orë në familje të paktën të mos ishte babai. Në orën 7 pa dhjetë minuta ajo do të gjente ndonjë shkas për ta nxjerrë atë nga shtëpia. Herë e dërgonte në Pazar për ndonjë fletore, herë për ndonjë, libër, stilolaps, materiale të ndryshme shkollore. Për rreth 5 muaj ky muhabet. Ndërsa me nënën e kishte më kollaj. I hiqte telefonin nga priza dhe linte të lidhur vetëm telefonin tek dhoma e saj. Biseda e tyre zgjaste gjysmë ore dhe ata mezi ndaheshin. Kontaktet e drejtpërdrejta i kishin të pakta kur ajo mundohej të shkonte për punë shkolle tek ndonjë shoqe. Por Samiu, i ati diçka filloi të nuhasë.
Kërkesat e vajzës në të njëjtën orë, kthimi në shtëpi dhe gjetja e telefonit të sallonit të hequr nga priza e futën në dyshim. Po. Vajza e tij diçka i punonte. Apo më mirë atë diçka e shqetësonte. Bisedën e bëri me të vëllain e tij që i kishin hyrjet përballë. Një ditë ai lidhi paralel me linjën e shtëpisë një telefon tjetër dhe e vendosi tek shtëpia e vëllait dy tri orë para se të shkonte ora 07-00. Si gjithmonë në atë orë Artemisa duke iu llastuar dhe puthur i kërkoi ti blinte dy fletore. Ai u nis si gjithmonë por jo drejt kërkesës së vajzës por tek shtëpia e vëllait. Telefonin e kishin vendosur në dhomën e fjetjes së vëllait. Fatmirësisht punët i kishin rregulluar që atë pasdite gruaja dhe fëmijët e vëllait të mos ishin aty. Në orën 7 e pesë minuta ra zilja. Samiu e la receptorin sa të ngrihej nga ana e Artemisës. Kur u shuan tringëllimat e ziles, pas 5-6 sekondash ai ngriti receptorin.
-Hë zemër si ja kalove sot? –zëri i një djali
-Si gjithmonë shpirti. Shkollë-shtëpi-studime. Sapo dërgova babin për dy fletore dhe po të prisja ty.
-E lodhe babanë!
-Samiut sa si ra telefoni nga dora, dhe tundi kokën në shenjë inati.
-Për ty e lodh të shkretin çdo ditë. Një pasdite se lash rehat. Kush e di çmendon. Mendoj se e ka kuptuar..
-Vërtet?
-Epo u bën muaj në të njëjtën orë!
-Do të kishte thënë!
-Se jep veten kollaj ai. Por e di që do të marrë shumë inat. Vajza më dërgon për ti rregulluar punë, vetë bën muhabet fshehurazi me të dashurin-do të thotë.
Samiu tundte kokën tërë inat. -Të ka marrë malli? – e pyeti ai -Si thua ti?
-Ku di unë. Unë flas për vete. Jam bërë si i çmendur.
Dua të të puth. Po ti?
-Un dua të të ledhatoj flokët.
-Un s’jam bebja i komshiut.
-Po mirë, unë kështu kam qejf.
-Pse kaq delikate i ke buzët. Apo ke më të ndjeshme gishtërinjtë.
-Qenke në qejf sot.
-Unë kështu jam çdo ditë kur flas me ty. Por sot lexova një tregim të bukur ku fliste për një dashuri të humbur. Një djalë i kishte propozuar një vajze të bukur. E ndoqi disa herë. Ajo nuk i kishte dhënë fjalën tamam. Befasisht djali iku në emigracion. Për vite të tëra i dërgoi vetëm një letër. Pas 4 vjetësh takohen rastësisht në Athinë. Atij i zgjohen të gjitha ndjenjat dhe i afrohet për ti shprehur ç’ndiente dhe ti kërkonte të falur. Por ajo ia pret duke i thënë "lulja e do ujin pa u vyshkur". Edhe unë dua ti hedh ujë lules time në kohën e duhur që të lulëzojë përherë.
-Tregim i bukur!
-Atëherë zbatoje dhe ti!
-Më duket se ti flisje për veten.
-Po, por që ti të mos më bësh fajtor nesër duhet të më ndihmosh. Unë të hedh bidonë me ujë, ti një kanoçe. Kaq se lodhesh, je delikate.
-E di që je bërë mistrec.
-Vende vende, por në të njëjtën orë.
-More por ti dukesh i urtë. Sikur se nxjerr qimen nga qulli.
-Eh, dashuria ç’nuk të bën. Llafazan, trim, shkencëtar, filozof, studiues..
-Mirë mirë tani, se vajti ora 7 e gjysmë. N’shtat vjen babi.
-Po ti e ke hequr prizën e korridorit.
-Po ndoshta vjen në dhomë dhe më kërkon.
Samiu sërishmi tundte kokën
-Mirë e lemë për sot. Të puth fort në gushë, sy, faqe.
Samiu mbylli sytë.
-Mirupafshim!-u dëgjua zëri i saj nga ana tjetër.
-Vetëm kaq? Po nuk më puthe sot nuk iki nga telefoni.
-Mirë, të puth!
-Kur thua këtë fjalë të ikën zëri. Bëhesh si memece. Mos nuk të japin për të ngrënë në shtëpi? Të puth prapë!- dhe e mbylli receptorin.
Samiu me të vëllanë u panë në sy!
-Eh, ç’të bën fëmija nuk ta bën as perëndia. Mirë që filloi dashuriçkat, por më bën dhe shërbëtor. Hajt jepi dum këtij muhabeti.
-Kujdes. Mos e merr me inat. Më dukej djalë i mirë në bisedë. Bisedo me vajzën, pastaj shohim e bëjmë- i tha vëllai Samiut.
-Kur lind dashuria s’ke çi bën! Po ishalla është diçka serioze.
-Ehh, ç’bela janë vajzat! Ta hanë kokën me të mirë sa rriten dhe më pas ikin tutje, -tha ai duke ulur kokën.

Më shumë nga Albert Zholi
- Cilat Janë Femrat?
- Gjaku I Gjashtë Viteve
- Lypsi Që Nuk Është Lypës
- Dy Vjet Pa Gjumë…
- Zonja "Malboro"
- Petagogu
- Rruga E Shpirtit
- Jo, Edhe Ujin E Detit E Morëm Hua...
- Nëna, Ose Arkivoli Bosh Në Anë Të Udhës
- Përse Të Venë Nga Deti Mendimet Zemra Ime?!
- Zonja Nga Athina
- Fëmija Grek Që Mësonte Shqip
- Ah! Beso, Beso
- Më Varrosni Me Shami Në Kokë…
- Vetmini
- Në Dhomën Nr-6-Të Të Një Shtëpie Publike
Komente 0