>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Më Fal Athina!

Kemi mbi dy vjet që punojmë bashkë me Arbenin. Më ka bërë përshtypje papërtushmëria e tij, për të siguruar jetën ekonomike të familjes. Njeri i sakrificës e prind shëmbullor. Bukën e merrte gjithëmnonë me vete, bile edhe ujin, për të kursyer. Ka dy fëmijë, Altinin, që ia ka venë vetë emrin dhe Athinan, që e ka pagëzuar e shoqia Vasilika, e cila është minoritare-greke. Kur shkoja te shtëpia e tij, nga ambienti i këndshëm familjar, hiqja një pjesë të streseve të ditës. Fëmijët i trajtonte si shokë dhe ata, edhe pse më i madhi ishte gjashtë vjeç, e thërrisnin në emër. Një ditë, sa mbaruam punën, Beni më thotë:
-Tani do të ikim drejt e në shtëpinë time. Athinaja mbush katër vjeç.
Megjithëse e kisha të planizuar atë pasdite, pranova me kënaqësi. Sa u hap dera, dy fëmijtë thirrën: "Erdhi Beni, erdhi Beni!". I përqafova edhe unë. Athinaja iu hodh përsëri në qafë "Benit".
-Ka bërë Athinaja gabime sot?
Ajo e pa në sy, tundi kokën dhe duke mbledhur buzët tha "Jo!".
-Çfar ka sot Athinaja?
Ajo mblodhi supet, vuri gishtin e vogël në gojë dhe heshti duke na pare të dyve në sy, si për ndihmë. Nuk po kuptonte. Kish mungesë në të kuptuarit e gjuhës shqipe.
-Dhen kataleveno (nuk kuptoj)-tha ajo greqisht.
Beni qeshi dhe m’u drejtua mua: "Shqipen nuk e di fare. Të afërmit e nuses dhe ajo i flasin vetëm greqisht. Ç’të them?
-Beni, jati mu milas mono alvanika (Përse më flet vetëm shqip)?-foli vajza.
-Sepse je shqiptare. Gjuhën e parë që do të mësosh do të jetë shqipja, pastaj greqishtja e me rradhë.
-Po, më folë alvanika që të mësoj.
Ai e mori në krah dhe e pushtoi fort. Dhe ajo u shtrëngua pas gjoksit të të atit.
-Faleminderit Athina. Këto fjalë që më the sot në katërvjetorin tënd, janë më të bukurat që kam dëgjuar nga goja jote e vogël. Më fal Athina që nuk kam gjetur kohën e nevojshme të flasim bashkë shqip!
I shihja të dy të përqafuar. Dhe ndjehesha i lumtur.
M’u kujtuan vargjet e Fishtës:
"Qoftë mallkuar ai bir shqiptari,
që gjuhën e nënës fëmijës s’ia meson!"…