>
LETERSISHQIP

Ai “Vëllai” Serb

Më ishte bërë zakon që sa herë hypja në autobus ne Athinë do të mbështetesha mbas xhamit anësor dhe të dyja duart do t’i mbërtheja pas unazave-mbajtëse. Kështu bëra edhe atë ditë të diele-pasdite, në linjën Athinë-Pire. Përbri meje ishte një grua rreth të gjashtëdhjetave dhe, aty pranë, dy të rinj njëzetë-njëzetë e pasë vjeçarë, që nga të folurit nuk dukeshin grekë. Në stacionin e dytë hynë kontrollorët e biletave. Mbasi kontrolluan dy të rinjtë, kontrollori afrohet te gruaja.
-Ja sa të nxjerr portofolin se kam abone-foli ajo duke hapur çantën. Kërkon me ngut në çantë. Duart po i dridheshin. Në ballë po i mbinin bula-djerse. –Më kanë marrë portofolin-foli me zë të dridhur-oh, kam shumë dokumenta brenda.
-Ndaloni autobuzin, asnjë të mos lëvizi dhe shihni poshtë këmbëve mos e lëshojnë-urdhëroi kontrollori dhe me celular lajmëroi “100-ndën”. Shoferi ndaloi autobuzin. Unë u nervozova. Çdo pesëmuaj do të më ndodhte një gjë e tillë. Ndjeja siklet më shumë se gruaja që kish humbur portofolin. U turbullova. Apo nuk isha pranë saj! Sakaq mbërrin makina e policies. Hynë tre police me uniformë. Ai që hypi në derën e mezit pyeti:
-Ka ndonjë shqiptar këtu?
-Po!-u përgjigjëm në një zë, unë dhe një grua e re andej nga fundi.
Polici më pa gjithë inat, nga koka gjer te këmbët. Sa fyes ishte ai shikim. Dukej sikur më thoshte “të kapa”. Erdhi drejt meje dhe nisi të më kontrollojë nga jaka e këmishës deri tek lidhëset e këpucëve. Librat që kisha në çantë i shihte si gjëra të ndaluara dhe tundëte kokën. Pasi kontrolloi gjithçka, më shihte në sy me mosbesim. Në autobus-heshtje. Ata që kisha përreth shihnin nga unë me kurreshtje. Pas meje polici u drejtua tek dy të rinjtë. Ata u afruan më tepër mes tyre dhe diç bisedonin. Me një lëvizje të dyshimtë, njëri nga të rinjtë lëshoi nën këmbë portofolin. Polici, prapa tij, e pa. E morri portofolin e lëshuar dhe pyeti:
-Nga jeni ju?
-Serb jam-i foli me ton djaloshi.
-Aaa, serb! Po pse kështu more djalë? Tani duhet të vish me ne-mënyra si i fliste sikur donte t’i thoshte “na falni që po të marrim”.
Në autobus ra përsëri heshtja. Si dukej asnjërit nuk i interesonte që hajduti të ishte serb. Heshtjen e prishi vetë gruaja e moshuar:
-Kështu është kur të vjedhin “vëllezërit”-dhe më hodhi sytë me simpati…