>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Gjykim I Njëanshëm

-Kështu e ka kjo jetë, e pëson nga s’e pret, por nuk thonë kot: atë që ta bën fëmija nuk ta bën as Perëndia. Por fajin më të madh e kam unë, unë e kam-dhe ktheu me fund godën e birrës.
E njihja mirë mësuesin tim, nuk pinte kurrë më shumë se një godë birrë. Në asgjë nuk e tepëronte. Pasi ktheu edhe pikën e fundit të birrës, psherëtiu dhe vazhdoi:
-E kisha mire e bukur vajzën. Kish marrë një burrë punëtor e të dhenë pas shtëpisë. Ishte pak nevrik, por njeri pa të meta nuk ka. Kanë edhe një djalë tre vjeç, si ylli. Dhëndërri çmendet pas tij. Para disa muajve mes vajzës e dhëndërrit nisën grindjet. Ai ankohej se vajza pak interesohej për shtëpinë dhe vonohej kur kthehej nga puna. Unë thuajse shkoja përditë. Vajza, në mungesë të burrit më qahej. Doja ta besoja vajzën time, por edhe nuk më vinte mire që ajo fliste për të shoqin që e kish marrë me dashuri, jashtë dëshirës sonë. Një ditë i thashë dhëndërrit: "Mos i bjer në qafë vajzës sime!" Ai shtangu. Nuk e priste. Mbasi e mblodhi veten më tha me qetësi:
-Kush të ka thenë që po i bie në qafë vajzës?
-Vetë vajza, kush do më thotë bota?-i fola prerë.
-Unë kam të drejtën time, si burrë, t’i kërkoj gruas sime llogari, pastaj s’ka pse të qahet tek ty se vetë më deshi.
-Kjo s’do të thotë që ti t’i biesh në qafë kot.
-Që të mos flasësh në këtë mënyrë duhet të dëgjosh të dyja palët. Ti flet si prind i vajzës e jo si mësues i paanshëm.
Shtanga, s’i prisja kurrë ato fjalë. Kishte të drejtë në atë gjykim, por mua nuk më vinte mire.Mbas asaj dite fillova t’i shoh gjërat ndryshe. Dhëndërri kishte plotësisht të drejtë. Ajo ishte tjetërsuar. Një ditë më merr në telefon gruaja e pronarit të pastiçerisë ku punonte vajza.
-Urdhëro!-i them
-Anthulla jam, ku punon vajza juaj.
-O, si jeni zonja Anthulla, …
-Dëgjo, -ma preu ajo shkurt-nesër e tutje vajza juaj nuk do të vijë më në këtë punë. Na vinte rëndë t’ja thoshnim direkt, ndaj ju morrëm juve.
-Ju lutem, për ç’arsye?
-E kemi kapur disa herë me një punëtorin tonë grek, këtu duke u puthur. Sot u mbush kupa. Këtu është vend pune e jo…
Telefoni më ra nga dora. U nisa drejt e te shtëpia e vajzës. I gjeta përsëri duke u grindur. Sa hyra unë heshtën. Ende pa u ulur mire iu drejtova dhëndërrit:
-Të më falësh mor bir. Të kam rënë kotë në qafë. Fajin e ka vajza ime….