>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Manushaqia

Me nënë Esmanë ishim komshinj në Shqipëri. Hyja e dilja në shtëpinë e saj si në shtëpinë time. Një nënë e dashur, e dhimbsur. Te fëmijët e saj më shumë shikonte e kritikonte të metat se vlerësonte të mirat. Kush godet të metat ai është prind i mirë-thoshte. Kishte pesë vajza të bukura e të zgjuara, që i rriste me shumë kujdes. Midis të pestave binte në sy Manushaqia. Siç kishte emërin ashtu ishte.
Si shumë familje shqiptare edhe Nënë Esmaja me burrin e vajzat erdhi në emigracion. Hallet dhe puna nuk më linte që ta vizitoja shpesh, di dikur. Një mëngjes shkova për të marrë një pako që më kish sjellë nga Shqipëria. E gjata vetëm. Të gjithë ishin në punë. Më shtrëngoi fort në gjoks e s’po më lëshonte. Në faqe ndjeva lotët e saj të nxehtë. Nuk e kuptoja pse qante.
-Nënë Esma, të lutem çfarë ke? Mos ke qejfmbetje nga unë?
Ajo fshiu lotët me cepin e shamisë së zezë, që e mbante në kokë, dhe më tha:
-Jo mor bir jo, nuk i ngelet qejfi nga ty nënë Esmasë, por kam hallin e Manushaqes.
-Pse ç’ka Manushaqia?
-S’ka asgjë dhe ka shumë. Eh, ç’të të them. Më turpëroi…
-Të lutem shpjegohu!
-Ah, mor djalë. Javën tjetër do ta fejojmë. Shumë mirë do të thuash ti, po me kë fejohet se? Me një të zi nga Nigeria. Ajo si bore e pashkelur ai si bythë e kusisë. E, kë të ftoj në tryezë?! Të bëhem gazi i botës?-dhe më zgjati një fotografi.
Në fillim u befasova edhe unë. Manushaqia dhe ai po putheshin. Ndoshta puthja e tregonte aq shumë kontrastin bardhë e zi?!
-A e do Manushaqia?
-Është bërë si e çmendur pas tij. Me siguri i ka bërë ndonjë magji. Kush nuk ma ka kërkuar atë vajzë! Po ti do e merrje një të zezë?
-Po ta doja, s’ka asgjë të keqe.
U hap dera. Hyri Manushaqia. Unë kisha mbetur me fotografinë në dorë. Pasi më takoi, morri fotografinë, e pa, e përkëdheli dhe tha:
-Punoj në një dyqan ku shiten mallëra me shumicë. Kam kontakt me shumë djem të rinj. Shumë prej tyre më kanë propozuar, por kot. Ndërsa me këtë, dhe tregoi zioshin në fotografi, ndryshon puna. Kishte mbi pëesë muaj që vinte në dyqan e blinte mallra me shumicë. Sa hynte ai ndryshonte menjëherë ambienti. E ka shumë të zhvilluar sensin e humorit. Një ditë më ftoi të pinim një kafe. E pashë me inat, gati-gati me përbuzje. I thashë prerë: Jo! Të nesërmen erdhi, bleu dhe iku. Nuk më ftoi përsëri siç prisja unë. Kështu vazhdoi rreth dy muaj. Unë kisha propozime por as i llogarisja. Mbas dy muajve durimi arriti në padurim. Më dukej vetja e fyer, e poshtëruar, që s’ma varte më. Mezi prisja ta shihja. Kisha nisur ta doja. (Nënë Esmaja ndukte faqet me duar). Me një shokun e vet e ftova për kafe. Ai më refuzoi dhe jo një here, por tetë herë me rradhë. E ftova përsëri(nënë Esmaja po zalisej, tek dëgjonte) dhe po të mos kish pranuar nuk di se ç’do të bëja. Pranoi. Ishte dita më e bukur e jetës sime.(Nënë Esmaja kërkoi një gotë ujë, që unë ia çova menjëherë.)
-Dëgjo Manushaqe, unë nuk jam racist, por në dashuri duhet t’i marrësh parasysh të gjitha. Jeta nuk është fushë me lule…
-Këto fjalë m’i tha dhe ai. Është i thjeshtë, i sinqertë dhe i sigurtë në jetë. Nuk më detyroi ta besoja.
E urova, Manushaqen duke qetësuar, disi, edhe nënë Esmanë. Edhe kur u largova më vinin në mend fjalët e Manushaqes: "…është i thjeshtë, i sinqertë dhe i sigurt në jetë… nuk më detyroi që ta besoja…"