>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Ti Je Ermira?

Prindërit po qëndronin si statuja disa metër larg doganës shqiptare, në pritje të së bijës. Ishte mëngjes i freskët prilli. Përballë po afroheshin dy policë-grekë që shoqëronin një vajzë bionde. Te postblloku ndarës ata i prisnin dy policë shqiptarë. Pasi u bënë formalitetet vajza u shoqërua nga policët shqiptarë. Prindërit po ecnin si të ngrirë, në pritje. Nënë e baba po shihnin atë vajzë në mes të policëve dhe s’po u besonin syve. Ajo nuk ish Ermira e tyre me gërsheta, fytyrënjomë dhe e qeshur. Ajo ishte e qethur shkurt, fytyrëvrarë dhe e madhe në moshë. Ermira nuk i kish mbushur akoma të shtatëmbëdhjetat. Atë e rrëmbyen në pranerën e vitit 1997. për mëse një vit ata nuk dinin asgjë për vajzën e tyre. E qanin dhe kur lodheshin e hidhnin mendjen te shpresa. Erdhi lajmi se Ermira jetonte në Greqi dhe rrëmbyesit e tutorët i kish kapur policia. Tani, në pritje të së bijës, ata po përjetonin një realitet më të dëshpëruar. Ajo që shoqëronin policët me emrin e vajzës së tyre dukej si e huaj. Ajo dilte nga kujtesa e tyre, me atë pamje ndryshe, trupin ndryshe, fytyrën, flokët. E gjitha ishte ndryshe.
Ajo po afrohej por s’po e çonte kokën. As e priste se prindërit po e prisnin aty në kufi. Me kokën varur, që i binte në gjoks, ajo mendontye se si do t’ju dilte atyre përpara, kur të shklte pragun e portës. Për një moment policët qëndruan. Ajo ngriti kokën për t’u shlodhur nga mendimet. Shtangu! Tre metra larg saj qëndronin prindërit. Ata e shihnin të shtangur. Ajo nuk u përmbajt më:
-Mama… Baba…-dhe u hodh drejt tyre.
Ata u bindën se ajo ishte Ermira e tyre. Nëna humbi ndjenjat. Vajza e mblodhi në gjoks, siç e mblidhte ajo me ngrohtësinë dhe dashurinë e nënës…