>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Pedagogu I Matematikës

Dielli sapo kish perënduar. Dritat e pallateve ndrisnin tek-tuk, kur shëtitoret akoma nuk ishin ndriçuar nga neonet. Në atë të diel-gushti temperatura kish shënuar 34 gradë, por mbrëmja erdhi e freskët. Deti valëzonte lehtë pa mundur të ngrinte dallgë e të krijonte atë zhurmën monotone të lojës me bregun.Varkat e peshkimit po merrnin udhët e detit për të mbushur rjetat.
Nga Hotel-Butrinti përhapeshin tingujt e një melodie të muzikës së lehtë. Para hotelit ishin parkuar dhjetra autobuzë, nga ku kishin zbritur turistë të huaj dhe vizitorë nga të katër anët e vendit. Ora po shënonte 21. Shtëpia buzë-detit po mbushej plot e përplot nga të ardhurit, që shumë shpejt hynë brenda rregullsisë të shëtitores së bukur para hotelit…
Majlinda dhe Anisa, të kapura krah më krah, ishin futur mes turmës. Të dyja ishin moshatare dhe flokëverdha. Por, çuditërisht, flokët e tyre ishin ndryshe nga gjithë biondet-sarandite. E verdha e çelur me një kafe të lehtë shndëritëse i dallonte ato që nga larg. Njerëzit mendonin se ngjyra e njëjtë e flokëve i kish bashkuar dy-vajzat në shoqëri, pa ditur më tej…
Majlinda, pasi mbaroi gjimnazin, vazhdoi studimet për Ekonomi-Financë, një degë që nuk e kish dëshirë. Qysh në sezonin e pare të provimeve mbeti në matematikë dhe as e mori mundimin për ta ridhënë në sezonin e vjeshtës. Anisa do të niste vitin e dytë në Histori-Gjeografi.
Për një moment Majlinda u rrënqeth.
-Ç’pate Linda?-pyeti Anisa duke ndalur hapat.
-Nuk e di, ndjeva mornica drithëruese.
-Edhe unë ndjej freskët.
U shtrënguan më fort me njëra-tjetrën dhe vazhduan shëtitjen.
-Sa vapë gjatë ditës e sa freskët në mbremje?!-foli Anisa.
-S’më bëhej të dilja nga deti sot. Ti Nisa e duron diellin, je për t’u admiruar.
-Edhe ti s’je e paktë, gjithë ditën ri në ujë, si të jesh Zanë-Deti.
-Si do të bësh në shtator?
-Do të mundohem për të gjetur ndonjë punë. Ku të jetë, nuk kam pretendime.
-Kot nuk shkove ta japësh provimin!-e qortoi Anisa.
-Lëre atë muhabet Nisa! Ti e di pse e lashë. Nuk e pëlqej atë degë dhe pike! Prindët më detyruan: "është zanat i mirë për femrat… është shkollë që s’mbetesh pa punë… është …."
-Do të ishte më mire të mos e filloje, tu shpëtoje edhe thashethemeve të shumta që rrinë ndezur në qytetin tonë provincial. Aq më tepër që babanë tënd e njohin të gjithë.
-E kuptoj por pasioni i prindëve qe aq i madh sa nuk munda t’i bëja ballë. Ashtu u bë dhe kështu ndodhi…
Ecën disa minuta në heshtje, pastaj Majlinda u kthye, vrrullshëm, nga shoqja:
-Hëm! Opinioni, opinioni! Eshtë e vërtetë se opinioni më dënon. E mendoj se ç’thonë: "Ç’do gjë e ka fituar nga babai, nga posti i tij", por kush ia vërshëllen shokut Sokrat në Tiranë! "Vajti në shkollë me shumë zhurmë e me kokën lart dhe erdhi si pulë e lagur", kështu thonë-psherëtiu e lodhur nga ligjërata Majlinda. Dorën e majtë e vendosi nën mjekër sikur donte të lehtësonte vetveten nga mendimet turbulluese.
-Po, nejse, të flasin ç’far të duan. Por unë po t’a doja atë degë do "haja veten me dhëmbë" e diç do arrija. I di mundësitë e mia. Mund të arrija më tepër se një note kaluese edhe në matematikë. Nuk më tërhiqte ajo degë. Mundohesha ta doja, për hatër të prindërve dhe të opinionit, por ajo më largohej. Nuk u dashuruam dot…
-Disa muaj do ta kem të vështirë-vazhdoi Majlinda-do të kem edhe llafe, por në vet-vete jam e qetë. Qetësia e vetvetes do të më lehtësojë.
U panë në sy dhe qeshën të dyja. Lëvizjet në shëtitore ishin rralluar. Ato shikuan njëra-tjetrën në sy të habitura.
-Sa shkoi ora?-pyeti Linda dhe u drejtua për nga bordura, në anë të detit, përballë "Butrintit".
-Njëzetë e dy e dhjetë minuta- u përgjigj Anisa, duke i ndarë fjalët në rokje me theks zanore.
-Sa? Sa?-pyeti e habitur Linda.
-U këputëm nga këmbët.
-Edhe nga mendimet-vazhdoi Linda.
-Do ikim se vajti vonë, do bëhen merak nga shtëpia.
-Rrijmë edhe pak, është e djela e fundit e verës…
-E, rrijmë…
Para Hotel Butrintit kishte shumë njerëz.
-Vende nuk ka në hotel, si do të bejmë?
Ky ishte shqetësimi që diskutonin njerëzit në grupe.
-Sa keq, ku do të flenë gjithë këta njerëz-tha Linda me duart mbi flokë-nuk mund të rregullohen në dy hotele turistët e një qyteti bregdetar.
Nga turma u shkëput një çift i moshuar. Burri mbante në dorën e djethtë një çantë spoorti, kurse në të majtë një çantë të vogël të zezë. Gruaja trupshëndoshë, mezi e ndiqte të shoqin duke zvarritur këmbët. Çifti u ul në bordurën anës detit, 10-11 metër larg vajzave kurreshtare.
-Ua!-thirri Majlinda si e befasuar dhe brofi në këmbë.
-Ç’pate?-peti e trembur Anisa.
-E sheh atë çiftin?
-E shoh, pastaj?
-Ai burri është pedagog Fadili, profesori i matematikës.
-Ohuu! Thashë se ç’pate…

Të katër morrën rrugën për në qytet. Majlinda e ftoi në shtëpi pedagogun e matematikës së bashku me të shoqen. Anisa u habit: Si mund ta ftonte atë profesor që e kish ngelur?! Ecnin në heshtje. Pedagogu, që në fillim nguroi shumë përa ta pranuar ftesën, diç mendonte.
-Ndoshta s’më mban mend profesor?-foli Majlinda-por as duhet të mbani ndër mend gjithë nxenësit, aq më tepër për një nxënëse që nuk i meritoi mësimet tuaja…
Sarandë Prill 1990