>
LETERSISHQIP
Albi Lushi

Halloween

Më jepni një maskë për sonte në mbrëmje,
Më lodhi fytyra ime rraskapitur nga vitet
Ta qëndis me spango e ta shthur me endje,
Siç bëjnë çdo ditë hipokritët.

Ah, mi jepni kokat që ti vesh me çallme,
Dua ca koka deputetësh e kryetarësh,
Hoxhës ti vë maskën që të këndojë psallme
Prifti të thërrasë në majë të minares.

Të qeshim e të qajmë prej qejfit a prej hallit,
Na duhen ca koka gjyqtarësh e prokurorësh
Ca maska Partizanësh për njerëzit e Ballit,
E për spiunët ca koka dëshmorësh.

Plot me dy fytyra, edhe me tre paska,
Çjerrë edhe të djegur, zhytur në mënxyrë
Kushdo që jetoi plot një jetë me maska,
Ka vdekur i pafytyrë!