>
LETERSISHQIP
Albi Lushi

Qiraja

Ka njerëz që si Zot u falen parasë
Dhe Zotin për të fituar më tepër,
Babëzijnë makutët e duan pamasë,
Qiranë e jetës tjetër.

Vërtetë që ngelemi nëpër skajet e tokës,
Herë si fukarenj, herë si zotërinj;
Me qira morëm trurin që ja ngulëm kokës
Dhe kohën e paguajmë prapë si qiraxhinj.

Dhe shuhemi një ditë e ikim të pa pronë,
Cic-micet e trupit shkuan e vanë;
As varri dy metër nuk është toka jonë...
Me eshtrat paguajmë huanë!