>
LETERSISHQIP
Arben Dreshaj

S'jam I Huaj

Ëndërroja të kthehem
Ta marr në gji atë rrafsh e atë bjeshkë
T’i marr ngryk lisat e zogjtë në degë
Të trokas në qiell, ta përqafoj atë dhé

T’i laj sytë të burimi, e t’i kthej nga Dukagjini
Të vrapoj në rrugica me vrap
Si dikur më shokë e shoqe
Ta pres diellin në mëngjes
Me nënën në bashqe, të dardha rroshe

Shkoi dimri erdh pranvera,
fluturim në Atdhe u ktheva
Nëna pushonte në varre
Krah më babën që nuk e pashë kurrë
Ju fola, një fjalë s’ma thanë,
unë s’i pashë, ata s’më panë!

Të gjallët me shikonin me habi
Nuk e dinin prej nga vij
Ju thashë, jam ëndërruesi i përjetshëm
Një jetë e kalova si i huaj
I tillë nuk jam në mesin tuaj

Jam ëndërruesi i mallëngjyer
I djegur, i përvëluar, i gjallë
S’jam i huaj
për këtë dhé, një jetë kam ëndërruar!
Maj, 2000