>
LETERSISHQIP
Arben Dreshaj

Ana, Jetë Përtej Jetës

Na bëre zemrën mal,
Kur u nise me ardhë,
Na përshëndete një herë,
Nga ekrani bardh e zi,
Plot dashuri na fale ti.

Muajt ecnin ngadalë,
Malli ndizte shpirtin,
Me të marrë në krah,
Me të mbajtë në gji,
Me ta pa buzëqeshjen,
Me ta ndier rrahjen në gji.

Ditën kur erdhe,
S’i hape ata sy të zinj.
Flije si një engjëll,
Me buzë në gaz,
Gojëzën dhe dorën e vogël,
S’e hape dot.

Shkuam bashkë deri te varri,
Aty, Ana, na pushtoi malli.
Me ëndje të pritnim për t’u përqafuar,
Sot jetojmë… për të kujtuar.

Edhe pse s’je në këtë botë,
Të ndjejmë pranë çdo ditë e mot.
Në ëndrra vjen, si puhizë e lehtë,
Që përkëdhel shpirtin dhe jetën vetë.

Qershitë të presin me lulëzim,
Bora të mbulon me buzëqeshje drite,
Dallëndyshet fluturojnë për ty,
Të çojnë lart, drejt qiejve në përjetësi.

Ti je ylli ynë që na shoqëron
Në agim e në hënë, në çdo çast,
Sa hapet dita e mbyllet nata,
Në zemrat tona jeton përjetë, Ana.
Korrik 2023