>
LETERSISHQIP
Arqile Garo

Atdheu Im

Fat apo fatkeqësi, mundet ta spjegojë njeri?
Kur rritesh në dy atdhe, dy – tre gjuhë, katër – pesë fe!
Ku ke të dashur e miq, ku ndjen turp a krenari,
ku jeton, ku dashuron, ku qesh a këndon me nge?!

Jam dhe unë një nga ata, në atdhe me pa atdhe,
mes dyzimesh e dyshimesh, a është keq apo është mirë,
mes dëshirës e mëshirës në urrejtje – keq e ke!
Në mes ëndrrës edhe zhgjëndrrës – je në vete a je fir?

Na sqaro or burrë i dheut,
cili është thelb’ i atdheut,
toka, nëna, arat, dhitë, njerëzit dhe perënditë,
miqtë dhe shokët e një jete, telat që rrethojnë kufijtë?!

Është Greqia, Shqipëria, Universi, Gjithësia,
Dropulli, Vorio Epiri, Shejtani vetë a i Biri?!

Janë gjëmimet, janë kujtimet, janë sukseset dhe gabimet,
dashuritë si rreze drite a zhgënjimi i asaj dite,
janë lumenjtë dhe përrenjtë, kodrat malet e shkëmbenjtë,
apo janë huqet jezite që përgjojnë mbrapa një prite?!

Janë paratë dhe pasuria, bereqeti dhe shtëpia,
janë idetë tok me parimet apo shteti me tatimet,
është bahçeja, është avllia, ku sekush në punë të tia
rri qarkuar nga mendimet, nga sikleti dhe rënkimet?!

Në agime, perëndime, në stuhi e në thëllime,
mos atdheu i vërtetë qënke ti, vendlindja ime?
Fshati në pëqi të kodrës ku ndjeva shijen e lodrës,
me përkëdhelitë e gjyshes, ndënë ninullat e motrës?!

Mos oraret, mos cigaret, davaxhinjtë tok me zagarët,
apo grindjet edhe sharjet, jargavitjet edhe ndarjet?
Janë dëshmorët, partizanë që luftuan me gjermanë,
a tradhtarët e trutharët që rrinë e lëpijnë sahanë?

Mos atdheu është një strofkë porsi dhjamët përmbi veshka,
apo një guaskë e fortë q’ e zvarrit ngado si breshka,
dhe në terr porsi i mjerë, futesh, strukesh si iriq,
i tmerruar nga rreziku, tradhton shokë, spiunon miq?!

Apo është një iluzion që për ty s’ e ha meraku,
veçse kur të ka nevojë të thërret: i lipset gjaku,
pse strehon politikanë, pasunarë edhe hajvanë,
që të duan mish për top, veç ata të kenë të hanë?!

Kur t’ i njohësh hiqi osh,
skotë e ndyrë plot me sarhoshë,
atdhetarë që nga tribuna të sqarojnë si qëndron puna,
q’ i binden fjalës së urtë: nga fryn erë do kthyer guna!

Analistë e gazetarë që shiten si djem të mbarë,
që bëjnë be me afsh e zjarr: se të duan për ushtar,
të të çojnë në vijë të parë e kur të kthehesh i vrarë,
të nderojnë, të bëjnë dëshmor, të varrosin me honor,
derdhin dhe ca pika loti, flasin në televizor,

bindin popullin e varfër se e paskan: "përnjiment!"
darovitin lek të pastër të të ngrejnë në monument.
E në prapaskenë gajasen, përse paska boll gomerë
që s’ mbarojnë: për një që ikën lindin nja njëmijë të tjerë.

Ja pra, klasa politike me oligarkinë e vendit,
që vërtiten nëpër vila, nëpër shkallët e kuvendit,
që më ftojnë për t’ i votuar, atdheun për të shpëtuar,
më sajdisin, me ujdisin, t’ u hedh fletën e bekuar,
dhe pastaj: avash or mik, na hiqesh për burrë i zgjuar?!

Andaj po të them or trim: S’ janë këta atdheu im,
as të tjerë, që si këta, bëkan punë e s’ hanë shaka!

***
Por veç s’ ndihem pa atdhe, i pa komb e i pa fe!
Atje tej në pyll të virgjër e kam stisur një fole,
një shtëpizë të vogël fare mes luginës së pafund,
me dyer e me dritare, ngritur me djersë e me mund.

Ka dhe një oborr të vogël, ka një çezmë në oborr,
ku ndalojnë e pinë sorkadhet ujë të freskët, njerëzor,
ku kalon erë e bekuar, merr hov të zihet me malet,
ku dëgjohet uvertura e natyrës që nuk ndalet.

Kur afrohet perëndimi, dritë e ditës në të mekur,
vijnë aty gjithë miqtë e mi, të gjallët tok me të vdekur,
vijnë aty njerëz të dashur nga gjithë cepat mbi k’të botë,
dhe nisin rrëfejnë legjenda me Azi e me Europë
dhe fillojnë tregojnë përralla plot me Qiell, Re dhe Tokë.

Vjen dhe Gëtja me Homerin, gjen Eskili Dritëronë,
Lasgushi takon Marien*, zënë një cep, kush di se ç’ thonë…
Tasua* takon Petritin*, njeh Miloshi Odhisenë*,
Allan Poe me Lenorën vijnë e rrinë me Kadarenë.

Andon Zakua, Van Gogu, Esenini, Saadiu
kokat tundin tek dëgjojnë se si ligjëron Kadriu,
ca më tej Omar Khajami me gunën hedhur mbi tela,
me një gotë vere në dorë dëgjon këngë nga Vaçe Zela!

Nisin e këndojnë në kor, vallëzojnë përmbi ranishte,
ftojnë Moxartin dhe e vënë të mbajë iso labërishte,
pa i luten dhe Ludvigut* që t’ u luajë me gërnetë
valle dyshe pogonishte (!) simfoninë e dymbëdhjetë(?!)

Çmenden nga raki e fortë tek shijojnë mezenë e ngjalës,
shajnë, bërtasin, debatojnë: i tërbon liri e fjalës!
I harbon mendimi i lirë, varg’ i dalë nga penë e artë,
dehen, ulërijnë, kërdisen, që të gjithë të barabartë!

Ja, ky është atdheu im, n’ atë breg, n’ ato blerime,
ndihem bukur pse aty: komandon ti, mikja ime!



Marien* - Maria Polidhuri
Tasua* - Tasos Livadhitis
Petritin* - Petrit Ruka
Odhisenë* - Odhiseas Elitis
Ludvigut* - Ludvig Van Bet’hoven