>
LETERSISHQIP
Dionis Xhafa

Punëtorët E Skelave

Punëtorët e skelave u fashitën sot, u copëtuan e u bënë gjak,
ranë e u vranë copë e cikë përmbi bulevard,
dy njëherë gjallë nën skela, e më andej vdekur e kall’,
e dy gjallë e përserë u dërguan në traumë, në spital.

Eh punëtorët e skelave janë heronjtë tanë që nuk duken,
ata e masin jetën e tyre me djersë të ballit e fuqi të nëndheshme,
ndër kronika lajmesh emrat e tyre, të të përvuajturve humben,
siç pllakos sonte kjo vrasje, kjo boshësi, kjo heshtje.

Lapidar ngrijini lart punëtorëve të skelave,
që vdiqën për motrën, për vëllanë, për bijën e babanë,
bëjuni shkallarë e dërgojini në male, lart në kreshta,
se ata për të jetuar mirë ne të tjerët, në skëterrë vdiqën, u vranë.