>
LETERSISHQIP
Dionis Xhafa

Shqipëria

Oh vendi im, tokë kockash të tretura me kripë malore, o dhe i shkelur dhe i mërdhiftë,
zezonjë e shekujve, ti u nxive dhe u tërhoqe zvarrë, ndër lodrina e hajni, ti rënkove fort,
ndër thonjtë e tu hedhin valle ujqërit, e të shqyejnë si mos më keq, të thyejnë brinjët ty,
bjeri qark e rreth e rrotull, nga jugu në Veri, nga Veriu në Jug, tragjedi është Shqipëria.

Njerëz të ligë, mashtrues të lindur, të pabesë dhe tradhtarë polle moj tokë pjellore e batakçinjve,
ty të duan vetëm ata që sillen si mizat që hanë m... të kalit, se vetëm kështu mbijetojnë në vendin tonë,
parazitë tokësorë, veset e tmerrshme, honet që meritojnë, hipokritët si këta, që besë e fe jo nuk kanë,
shqiptarët, sa të mirë do të ishin, por nuk janë, popull i ligësht, oh mjerim, vritem përditë, në vendin që e çapitën.

Zotin nuk e pyesin, vetëm e përqeshin dhe e tallin, këta që luajnë me emra njerëzish, dashurinë e nxijnë,
vetëm vrasin dhe i pafajshmi hyn në burg, ai që ka kryer vrasje shpëton, se drejtësinë e ka padrejtësia, kupton?
hey shkundu dhe tundu, fol se jemi popull tutkun, morra që mbijetojnë në flokët e qimet e pista, heu komb i mërdhihur
nxihen përditë fushat, malet, krojet e tua, luginat që veniten ndër ujëvara që lëshojnë ujët e pastër kristal.

Tundu tokë, shkundu dhe, hapu moj mortje dhe nxirre kombin e zi fluturak, ashtu siç është dhe do të shihje,
se kombi është trup i vdekur, se arkivol i tij u bë nga njerëz të zinj, se mortjen ia sollën dhe e përpëliten deri në vdekje të ligë,
vetëm hip në majë të Korabit, në Olimpin e shqiptarisë, ku burgu dhe liri jo nuk ka, as besë, as harmoni, vetëm nxirje,
Odisetë e tinzarët janë triumfatorët e lirisë të kollofitur, molla e ndaluar e ngrënë nga mëkatarët, oh, mortje, Shqipëria!