>
LETERSISHQIP
Edmond Miftari

Kërrpesh Prej Djalli

Poemë profetike - satirike
Asht ba çud
Hala Perëndia tokën s’na ka l'kund.
Kem nis me marr lakmi t’hujt,
ma as ai i dinit s’din me u ru.
E qe besa, Perëndia ka harru
se popullin ton me hiç e shtin me lakmu.

Kem shemb kodrat ma t’mirat e ksaj nahije,
kem vra gjinj qi thirrshin n’dije,
ua kemi hup eshnat pleqve qi grahnin kije,
gur as lis s’u kemi qit mbi krye.

E dilni m’thoni se mir asht kjo Shqipni,
ku s’din gja ku i ka bijt e saj
qi n’as t’zezat ma nuk kjajnë,
qi qefin n'kry nuk majnë,
qi mexhat me fjalsh i dajnë,
qi për pak pare shpinë e babës e dhanë.
E besa, as hije s’po ka,
as din, as iman.

E le t’rri Perëndia atje ku asht,
se tu shkrep rrufeja nër lisa, mirë s’ka me u ba.

Moj Perëndi,
lejom t’i drejtoj këta dy sy
drejt asaj tane madhështi.
M’thuj sa mëkate duhen me dek i ri?
Se mjerë trupi kush ka me m’knu elegji?
Mjerë fmija qi s’kanë ku me marrë gji.
T’shkretat kisha e xhami,
zitnet plot, pa xhematlinj,
gojen plot, kurrë pa u ngi.
Tym cigare n’mejdan,
mashkuj me mjekra, po burra s’u banë;
gra t’hjeshme, po djalë për vatan s’dhanë.
Penda plot, libra bosh.
Perëndi, po ta tham troç
a ke lshu sy mbi Shqipninë e shkret?
Don me u hup e me u tret.
Nji shqiptar mbi dhe s’don me mbet,
gjuhë t’huj flet çdo i tret.
Janë t’hjeshun, e me kaqet;
Pushka n’krah, po pa fishek.
E ti, Perëndi, ndaç nja i mirë me mbet,
merrma jetën pa e ba krejt jetë,
se mes shqiptarve s’met i drejtë.
E n’mos besofsh, eja vërdallë, poshtë e përpjetë,
edhe ty behane kanë me t’gjetë,
Marren e dynjasë kanë me ta kepë,
kanë me t’sha e me t’qeshë.

Se i mirë e i urtë asht ai nji herë qi zen ven
Se i mirë e i urtë asht ai qi punt i ka n'dyzen
Se i mirë e i urtë asht ai qi flen.
Ama...
Ruju t’urtit, mos ia prishe terezinë,
ruju t’mirit, mos i kesh partinë,
ruju me kta se qysh flet
t’baj be, Shqipnia bahet termet.
S’ka me kan gja ai yti kiamet,
se për ty çka folet zi e terr.

N’Shqipni duhesh kamën me e shti n’therr,
nji ashtu s’lan bisht pa ta vjerrë,
s’lan vend as çoban hajvan me mjelë.
Qe besa, ki me mjelë e me i shterrë,
se s’ka çoban qi ia fryn gjinjtë,
s’ka çoban qi ta shëtitë hajvanin n’luginë.
Kërrpeshin n’kry sot hajvanin e lidh,
kërrpesh me lesh t’djallit.
Qe pse s’pihet tamli i hajvanit,
qe pse janë metë thata fushat e mejdanit,
shpi pallate me ngjyrë t’alltanit.
Qe pse s’çohet kush n’kamë kur t’hyn i madhi,
qe pse mirë na ban duhani.

Se n’çdo krye t’shqiptarit
kanë vu kërrpesh
me lesh t’djallit.