>
LETERSISHQIP

Ndiz E Shuaj

Më mori malli për ty kaq shpejt!
Ky dreq kondisioneri të imitoka keq
Më ngroh pa më puthur
Po kështu edhe jorgani
Rri mbi mua pa lëvizur…
Më mori malli për çastin kur u çikëm!
Për gjithçka bëmë e thamë bashkë
Kjo flutur dëbore na i thinji çastet
Pa na dhënë një mundësi të bardhë.
Më mori malli për ato që s’i bëmë!
Për atë, që e ëndërruam si të nesërme
Për vendet ku kurrë s’kemi qënë e s’do vemi
Krisin e thërrmohen brenda meje premtimet
Shndërruar në pllaka akulli.
Më dogji malli, si mes shkretëtirës
Shkëndijova e u ndeza si gur stralli
Bën kaq ftohtë, ku të gjej të të ngroh, duke thënë:
“Gëzohu, është veç tek i gjalli!
Malli, si malli…”
Cipa akulli na mbështjellin si vezë kinder
Malli, fëmijë i lumtur që me ne luan e djersin çurga lotësh
Hidh e prit, ndiz e shuaj, far mbi det
Djeg në grykë, bëhet komb, ngel memec
Ah dashuri, ç’surprizë na pret…