>
LETERSISHQIP

Postfestë Në Kafe

I shtrydhën njerëzit gjithë urimet
Nga kompjuterat dhe mendjet, deri në lodhje
I vollën gjithë dëshirat nga stomakët e prishur
Helmuar nga sasia e mostretur e pamundësive.
Zbritën nga maja e mullarit të ëndrrave syhapur
Hodhën hapat e parë, si fëmijë motakë duke u lëkundur
me shpresa shtrënguar si ushkurë pas trupit
për të mbajtur ekuilibrin e humbur nga vezullimet festive…
Rregulluan pulsin, tensionin, sheqerin në gjak
Që edhe me tepri në tryezat familjare
Nuk e mundi dot zeherin global…
Njerëzit të siguruar falas në kompaninë”jetë qeni”
Numërojnë monedhat e mbetur në kuletë nga festa
Sikur duan ta gjejnë aty enigmën
Sa u ka mbetur të jenë ende njerëz…
Disertacioni “një kafe”
Për tu shfryrë e për relaks mbetet
pavarësisht gjithçkaje
Më i preferuari, ende në fuqi…
Njerëzit me këmbë të ngulura fort në tokë
Një vit më të vjetër në rininë e stërzgjatur
I gëzohen rishtas përditëshmërisë
Dhe atij që s’është më “I RI “