>
LETERSISHQIP
Fatmir Terziu

Gjitonja

Vetëm gurë të bardhë dhe një sy si ai i Rozafës
mendime gri përtej avllisë mbajnë ende suvanë
të mos ishe Ti o e bekuar ç’tjetër do të kujtohej
koha do të rrinte pezull si një gjol qorr në sytë tanë
në shikime të urta vetëm fundi do të stacionohej.

Do të zinim guacka të zeza amullive të gjakut
të mos më kujtoje Ti o e bekuar kush do të sillej sonte
pikëllimin e mësuam nga malli i murit ndarës
kujt i shkoi syri e mori bota tjetër me vete
diçka kujtuam, diçka në këto ekrane të ftohta tretet.

Ç’u çmallëm gjitonja ime, ç’u çmallëm,
tek brodhëm nëpër facebook, faqeve bardhë e zi...
Çikëverrat mbushnin pllajat
dhe dukeshin si yje të rënë nga qielli,
ata struknin kujtimeve tona karajfilat dhe pallët,
arnonin opingat, futat, çorapet.
"Pranvera s’paska më të bukur trokitje",
unë kërkoja burime: "Buzët ishin bërë mavi".
...Dhe ‘mausi’ i kompjuterit kohërave të tjera bariste...

Ç’u përmallëm, o gjitonja ime, ç’u përmallëm
tek shembnim sonte, avlli me lodrat e fëmijëve tanë
caruqet e tyre shkëlqenin nga larg
fluturonin me to nga ograja në ograjë,
toka nuk ndjente gjë, dhimbjet në varg
të dy të pafaj...
Ti thoshe: "Ja erdhi koha, por ç’e do ..."
Unë thosha: "S’është vonë...,
Ti shtoje: "është vonë natën, u bë terr",
... Dhe yjet xixëllonin e xixëllonin në kompjuter.