>
LETERSISHQIP

Kitara E Shpirtit

Këtë mbrëmje buzëdeti
ku simfonia e tij madhështore s’njeh kufij,
në muzgun e purpurt shpërthyen disa tinguj kitare
dhe telat e shpirtit m’i drodhën në gji…

kur meditoja me vetminë time në vetmi.

Kishte një përputhje të çuditshme
mes tingujve të valëve dhe fantastikes kitarë,
që përplaseshin brigjeve të trishtimit tim
dhe treteshin e humbnin nën dallgë…

kur me vetveten ndjehesha i vetëm, shpirtvrarë.

Në mesnatë,
Hëna terhoqi dallgët nga bregu si me drojtje
përmes një zbatice magjike, ledhatare,
nata fjeti,
bregu ra në qetësi,
pushuan dhe telat drithëruese të kitares…

me vegimet e mia luante tymi i kaltër i cigares.