>
LETERSISHQIP

Mbrëmje Në Bregdet

Dielli po zhytet dalngadalë, me përtesë
dhe ndez horizontit një vijë të gjatë zjarri…
Pulbardhat,
nxitojnë të largohen prej muzgut
duke shkruar poezitë e fundit mbi telajon detare.

E teksa mbrëmja ndehet e purpurt mbi qilimin ranor të bregut,
valët luajnë me rërën duke pëshpëritur mijëra fjalë…
Përqafohen,
përkëdhelen,
puthen,
herë ikin tutje gjithë naze
dhe herë afrohen ngadalë-ngadalë.

Më pas ndizen qirinjtë e pafund qiellor
që flakët përkulen t‘i lajnë në det.
Fashiten zhurmat,
përndizet flladi i natës
dhe bregu nis të përgjumet si i përkundur në djep.