>
LETERSISHQIP
Anna Marku

Vonë U Kujtova, Nënë !

Vitet kurrë s'ti numërova,
të mendoja përjetësi,
koha griste jetën tënde,
e unë i ndihmoja me mërzi.
Në vetminë tënde të lashë
me lutjen nga qielli drejtuar,
ti lashë duart duke pritur
në kraharor për t'më shtrënguar.
Mua nënë, fëmijën tënd..
që veç lot të kam shkaktuar
emrin tënd thirra çdo vend
sa herë jeta më ka rrëzuar,
por harrova pritjen tënde
pasuria më mashtroi
euro e dollarë kërkova
paraja shpirtin më helmoi.
E u vesh gjithë jeta ime
plot me luks e dashuri
krijova të shtrenjtën familje
e vonë më ra ndërmend për ty.
Vonë u kujtova, nënë!..
jeta jote ishte grisur
lot e gërma më përlanë
për parajsë ti ishe nisur.
Vonë u kujtova nënë
të shuaja mallin e pashuar,
të pashpresë të kam lënë
s'ka më vlerë, falje për të kërkuar.