>
LETERSISHQIP
Hamit Aliaj

Ballkanziu Shtatëkrerësh

Ballkanziu shtatëkrerësh,
Ndërton kuaj Troje e s’ke dërrasa për djep,
Shkruan Iliada e vetë je pa sy,
Me kokë të prerë rend qiejve të tu,
Nëntë hëna larg marton Doruntinat,
Me mish njeriu i ushqen martinat!
Gjysma e njeriut nën gur të kështjellës
Gjysma lënë përjashtë, jetë e i jep jetës,
Njëri sy te vdekja, i vajton të vrarët,
Tjetri mbi një djep, i pajton të qarët,
me varret mbi supe, netëve udhëton
Homerët e tu, zbathur reciton.
Për një Helenë, vritesh dhjetë vjet
E Helenat tua, për hiçgjë i vret,
Fqinjit ia ngrin krushqit e ia bën gur
Me këta gur zie kërkon të bësh mur
Shpesh i pakohë, shpesh i pakokë
Gjysmë Azi, Gjysmë Evropë

Ballkanziu,
Kara Ballkan,
Mavri Ballkan,
Crno Ballkan,
Euro Ballkan!