>
LETERSISHQIP
Hamit Aliaj

Ra Ylberi Ah Në Ah...

Ra ylberi ah në ah,
Zogu i malit po t'rrin n'krah,
An' për anë po shetit bjeshkën :
Ku e kam kët' verë syzezën?

Mbi qerpik po t'rrin ylberi,
Larg qëllova, un' i mjeri!
Ato kroje n'rreze hane,
Mall po kanë për buzën tande!

Si mollë vjeshte t'u skuq faqja,
Mbi buzë t'çeli manyshaqja,
Edhe natën, natën vonë,
Del si hana mbi Valbonë

Shtat' ditë t'javës, si shtatë pllumba
Kqyrin bjeshkën kah vjen udha,
Ah, me mall na shkoi kjo jetë
Duke pritë ditën e tetë!

N'ato bjeshkë, o bjeshkë Tropoje,
Mbytet hana nëpër kroje,
Le ta dijnë krejt zogjt' e malit :
Emnin tand do t'ia ngjes djalit!

Se krejt botën n'e paç shetitë,
Ke m'e lypë, mor djalë, një ditë
Një ilaç që s't'len me u plakë,
N'buzën teme, me u ba flakë!

Qysh bre djalë, e beson rrenën,
S'është djegë Troja për Helenën!
Ato flakë, Helenës s'Trojës,
Ja dhanë çikat e Tropojës!