>
LETERSISHQIP
Hamit Aliaj

Janë Dy Zemra Në Një Fjalë

Pse ma vodhe gjumin e më le pa fjetë?
Se kurrkush n'ktë botë, nuk i ka dy jetë,
O, pse nuk ma fal, ti synin e zi,
Syni bahet re e më lag si shi!

Dita m'u bâ natë, nata m'u ba ditë,
Ah, më shkoi krejt jeta, ty moj, tuj të pritë!

Unë ty, mor djalë, ta kam dhanë kët besë,
Fjalën që unë dua, ende s'e ke gjetë,
Nata t'u bëftë ditë, dita ardhtë e bardhë
Unë kam shumë vite, që e pres at'fjalë!
Ne, për njani-tjetrin, Zoti na ka falë!

Thuaje ti!
Jo, jo, thuaje ti,
Unë e di fjalën :
I thonë dashuri!

Oh, sa shumë vite, na shkuan në kët jetë,
Oh, veç një fjalë, një fjalë për me gjetë,
Nata u bë ditë, dita u bë natë,
Vetëm për një fjalë, një fjalë të ngratë!

Të pava këtu, të pava atje,
Thuaje sot atë fjalë
Që nuk ma the dje!

Nuk kam faj, mor djalë,
Jo, s'kam faj, mor djalë,
Nuk di pse u tute
Me ma thanë atë fjalë!

Në daç ta them unë,
Në daç thuaje ti,
Është në synin tënd,
Është në sytë e mi!

Thuaje ti!
Jo, jo, thuaje ti!
Unë e di fjalën :
I thonë dashuri!