>
LETERSISHQIP
Iliaz Bobaj

Lulet E Kësaj Pranvere

Si vashë e bukur kjo ditë prilli,
është veshur veçanërisht hijshëm,
violinë e flladit derdh nga buzët,
ca tinguj të artë, të magjishëm.

Dita jeton me përkëdhelje
dhe lahet nëpër kroje drite,
duke vallëzuar lehtë me prillin,
lajkohet nën tinguj muzike.

Ca zogj si ca fëmijë çapkënë,
këndojnë si një kitarë e cjerrë,
jetës kufirin i tregojnë:
-Ne jemi zot te kjo pranverë.

Zambakët si një trumbë çupash,
përpiqen ankthshëm për t’u dukur,
gjysmë të çelur rrinë e presin,
si buzë vajzash për t’u puthur.

Po s’i prek kush, s’u merr kush erë,
ndaj pritja e tyre pret e ngeshme,
një bletë hedh parfum me polen
dhe vjen e ikën fill e vetme.

Lulet harlisen, dhelen, dehen,
një fije ndrojtje s’iu la mbetur,
sivjet lulet janë çmendur fare,
nuk ndjejnë një dorë për t’i prekur.

As unë e ti s’dërgojmë një gonxhe,
është kohë e ngrirë, e mundimshme,
kujt ikën, s’i vëmë dot një lule,
te kjo pranverë kaq tragjike…