>
LETERSISHQIP
Kujtim Hajdari

Veç Të Rrinim Dhe Pak

Në qetësinë e rrugës pikturoi portretin tënd,
Nënë e dashur, kur më përcillje fëmi,
Ti mbete gjithë jetën e ëmbël, një emër që dhëmb,
Dhe pse tani më pret heshtur, këtu, nën ulli.

Para teje jam përherë i vogël, një fëmi,
Zëri yt si një ninullë më përkund gjithmonë,
Sa herë e sa shumë jam kthyer tek ty..., nuk e di,
Por dhe ti më gjen shpesh, dhe në natën e vonë.

Unë i topitur nga nata e gjatë, pa gjumë,
Në rrezet e agimit laj vështrimet e mia,
I zhytur, i humbur në mendimet pafund,
Më përkëdhel dora jote butë, si qetësia.

S'u lodha sonte duke biseduar me ty,
Ti vije e ikje si një ëngjëll nëpër natë,
Do të ulesha përsëri ta pinim një kafe të dy,
Veç të rrinim dhe pak të bisedonim më gjatë.
Kujtim Hajdari