>
LETERSISHQIP

Kenga E Zhgenjimit

Çfarë dite është sot? Po ç’rëndësi kanë vallë
emrat e orëve, ditëve, muajve të gjatë
të vdekur të gjithë, varrosur pa kthim,
si trenat që venë a si trenat që vinë
si trenat që shkojnë a si trenat që kthehen
ne kryqëzim te shinave nje lypës i vogel rri
shpirturitur sytë e trembur hap. Rreckosur
dorën e njomë zgjat

“ Të lutem, zotëri,
Shkruaj dy vargje dashurie për mua, zotëri! ”
Dhe zotëria i fal dy centët e tij…

Avullon suprinë e hënës mbuluar nga një tis gri
si në përrallat me kuçedra. E fshehur anë e errët mbetet.
Ç’të jetë pas saj? Cila e vërtetë? nga ato pesë…dhjetë apo njëzet?
Ç’fytyrë ka? Ç’maskë do kem përballë? Do e njoh a do më njohë vallë?
Maska e hënës hijen lëshon nëpër park …
herë del, herë duket …herë- herë fshihet me vrap
dhe në kryqëzim të udhëve lypës’ i vogël rri

"Të lutem, zotëri
dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…

Kujtimet jane bebe… që më pas bëhen gjethe
të zverdhura në vjeshtë…të lehta si frymë
që më në fund nxirret dhe brenda më s’hyn…
Kështu dhe bebet e syve bien përdhe
të vrara, të lodhura nga gjumi që nuk i zë…
udhëkryqeve pa fund të labirinthit të zi
në prag të të cilit lypësi i vogel rri

"Të lutem, zotëri,
dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…

Dikush hëngri dhe piu mbi tryezën që ndrin
një tjetër gjellët shijoi dhe iku pa kthim
dikush lugën që përdori e futi në xhep dhe harroi…
një tjetër në pjaten bosh pa hijen e tij…
Pra eja ta përmbysim sofrën që na priti
therrimet t’i shkelim në një vend të errët t’i mbjellim
në një vend të zi ku asgjë nuk mbin
aty ku lypësi i vogël rri

"Të lutem, zotëri,
dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…

E gjatë dhe e ashpër rruga për në fund
trok’ i djepit dhe i kalit përgjumshëm na përkund
më mban… dhe të mbaj… të kam dhe më ke
shpinë përmbi shpinë si breshka shtëpinë
vëllezër siamezë që vdekja veç i tremb
por koha i vret dhe ëndrrën ua tredh
në eshtër të kosës lypës’ i vogel rri

"Të lutem, zotëri,
dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…

Stuhia filloi dhe mbaroi në det
por në gotën me ujë një anije u mbyt
zërin me ëmbëlsi sirenat e mprehin
Uliksit litarët krahët ia presin
pika gjaku ngjyrë blu pikojnë mbi kuvertë
i gjërë shtrat i drurit ku Penelopa pret…
Në breg këmbëzbathur me gishtat në shkumbë
i mardhur, i lagur lypësi i vogël rri

"Të lutem, zotëri,
Shkruaj dy vargje dashurie për mua, zotëri!"
dhe zotëria i fal dy centët e tij…