>
LETERSISHQIP

Ndryshe…

Një natë e ftohte mbështjell
gjysmën e kësaj bote ku jam unë…
një ditë iluzore përmbledh gjysmën tjetër
së bashku me delirin njerëzor
për të shpallur, … thënë… dhënë mend…
Dua edhe unë ta bëj, por e kam të pamundur
duke qëndruar këtu ku jam,
në vijën ndarëse mes errësirës dhe dritës
ku çfarë shoh ndryshon papritur formë e ngjyra…
Ndaj mendoj më mirë të hesht
tek të ruaj ty duke të numëruar zgjimet
midis një gjumi të trazuar dhe maktheve pa emër
të cilat jam e pafuqishme të t’i paqëtoj.
Dhe ndërsa pres të gdhihet për të shkuar
buzë atij liqenit ku veten e gjej të pranueshme
pranë një kolonie patash të egra që nuk shtegëtojnë kurrë
preferoj më mirë ndërkohë, të ha me shumicë
ëmbëlsira të çdo lloji
të dëgjoj Brahms dhe të shkruaj këto vargje
jo të dashura për gjithkënd…