>
LETERSISHQIP

Epokë Pa Kalendar

Idhujt i vrasim dhe i varrosim vetë,
Me kazmën e ftohtë të fjalës së mykur
Kështu ka ndodh që herët në mëngjes
Se diellin dhe hënën na e duan të fikur.

Mjafton errësira për mëkatarët
Klithma hijenash endur nëpër natë
Ata që shkulin dhe gurët e varreve
Pas funeraleve kërkojnë dhe shpagë.

E bëjnë historinë epokë pa kalendar,
Fshijnë çdo gjurmë nga e shkuara
Kurorëzimi i tyre është faqa e parë
Brezat shënohen në faqe të harruara.

Të tjerët kanë lartësuar monumente
Për emra të stisur vetëm për piketë
Një Nastradin-simbol i gënjeshtrës
Apo një Robin Hud, gati si mbret.

Ata që shikojnë me syzet e miopit
Dinë kaq bukur të pështyjnë historinë
Në themelet e lodhur të këtij kombi
Pështyma e tyre është si një minë.

Ndaj s’dimë nga vijmë e ku të shkojmë
Se i djegim vetë pergamenët e kujtesës
Dhe brezat s’do të dinë ku të kërkojnë
Gjenezën e gjakut në librat e jetës.