>
LETERSISHQIP

Si E Ka Mbiemrin E Vërteta

Ka plot mënyra të tjera për të thënë të vërtetën,
le të jetë e hidhur si mjalti i premtimeve,
Shtigjet e honeve kanë aromën e vdekjes,
vela të grisur në gjoksin e stuhive.
Është me e shkurtër udha mbi vahun e guximit,
ura e postës i vonon letrat e shkruara.
Nuk është e vështirë
të grisësh firmën e betimit,
më mirë kështu se me fjalë të arnuara!

Unë jam rreshtuar në armatën e poetëve
që duam të bindim botën
se ka dhe dashuri të përjetëshme.
Ah, martirët ëndërrimtarë,
don Kishotë-kamikazë të vetvetes.

Qenka e vështirë, besa sot,
Romeo e Zhuljeta s’do kenë ekzistuar në këtë jetë.
Janë trille të shkrimtarëve
që thonë se për dashurinë
mund të vdesësh dhe shpallesh profet.

Në udhëtimin e amëshimit
ka dhe katete të shkurtëra,
hipotenuzat janë të gjata dhe të pjerrëta.
Kur humbet pikat e hroizontit të shpirtit
nuk e mer vesh kurrë
si e ka mbiemrin e vërteta.