>
LETERSISHQIP

Mërguar Lutjet

Brenda skeletit të kornizës,
të dilemave të vjetra,
ngjirret kori i korbave të thashethemeve,
ndryshken akrepat e thyer
të orëve të lodhura të jetës.

Varret bymehen
nga dhimbjet e gurëve,
postulatet e zverdhura të apostujve
arratisen
pas ortekëve të marrëzive,
sponsorizuar nga urrejtja e verbër.

Në muret e mykur të natëshpirtrave
gjejnë strehë
klithmat e grisura të mosmirënjohjes,
pas skeletit të hijeve invalide
kanë mërguar dhe lutjet!…

Oh, Zot! Sa kafshime
shiten për puthje!