>
LETERSISHQIP

Pritja E Gjatë

Më lodhi kjo pritje, më lodhi,
edhe durimi s’qenka pa kufi,
supengritur pyes: “Çfarë ndodhi?”,
supeulur mërmëris: “Çudi!”.

Më lodhi kjo ëndërr e gjatë,
më brimoi si guri ndënë pikë,
ditët këputen si gjethe e thatë,
muaji tkurret sa për një ditë.

Më lodhi shumë heshtja jote,
heshtja nuk qenka e tëra flori,
s’ka gjumë në qiellin e kësaj bote,
po mua, pse më flihet tani?!

Më lodhi dhe shpresa e blertë,
nuk çeli në kopshtin e syrit tim
hapova dy shekuj, prita një jetë,
spirancë e thinjur nga një premtim.

Më lodhi kjo pritje, më lodhi
mos nis udhëtimin, s’ka më urë,
as vetë nuk e di si ndodhi,
tani, dhe të duam, s’ka as lumë.