>
LETERSISHQIP
Namik Selmani

Bajamet E Çamërisë

Mund të mos kishte dhe aq shumë rrënjë domate në bahçe.
Mund të mos kishte shumë sheqer, libra dhe shkronja.
Mund të mungonte dhe pak bukë në magje
Mund të mos kishte dhe aq relike të vjetra në oda.
Mund të kishte pak më shumë këngë kurbeti
Mund të kishte pak më shumë saze Çamërie.
Po ëndrra çame buiste dhe bëhej në çast si deti.
Ca eho gjoksi ndiznin dhe gurët nëpër brigje.
Veç kurrë, kurrë, nuk mungonin lulebajamet.
Mes gëzimit të syve e gëzimit të zemrave.
Aty Çamëria gdhendëte kujtesën prushane
Si të ishte amaneti që zgjon fjalët e pathëna të brezave.
Aty pranverën si dashurinë e parë e prisnin
Dikur mbushnin prehërin e gjysheve mes urimit.
Me ca tinguj këngësh, si rruaza pranë gjirit
Me ta prisnin dimrin dhe i hapnin dyert gëzimit.
Kanë mbetur jetime, bajamet, mes mjegullës.
Lulëzojnë e bëjnë kokrra sërish për duart e vajzave.
Kush, kush, do ia heqë gurët e gjëmbin e ferrës?
Kush, kush, do i shtrojë sërish në tavolinën e dasmave?