>
LETERSISHQIP

Letër Kontinentale

Më vinte të këndoja, për aromat e dallgëve të mbetura larg,
për pemët që nuk do ta shohin kurrë detin, prandaj janë të verbra,
por më kryelarta nga fëshfërimat e tyre mbretërore.

Më vinte të këndoja, këtu shitet kripë, jo oqean,
le t’i shpallim algat përmendore.

Më vinte të këndoja për ca gra me një komçë në shaminë e tyre pa qafë
dhe qiellin e mbushur me copëra mermeri, alabastër, lajthi të vogla që pëshpëritin
acar.

Për hijet e poetëve, që qarkullojnë pika shiu, më vinte të këndoja,
për kambanën e rëndë qiellore që i binte vetë Madona,
për shurdhërimin që kërkon shurdhërimin.

Atje ku ndieja si mbylleshin kapakët e tokës ngadalë, ngadalë,
më vinte të këndoja.
Miq, kemi qenë shokë dhe pastaj kemi ikur në njerëz
dhe nuk flasim për ato që thuhen në shtëpinë tonë pa dhé,
më vinte të këndoja.