>
LETERSISHQIP

Lutje Perëndisë

O Zoti im,
krijues i Gjithësisë,
i Tokës dhe Qiellit,
i botës së Gjallë dhe të Vdekur,
i Gëzimeve dhe Hidhërimeve,
i Uratave dhe Mallkimeve,
i Dashurive dhe Mërive...

O Zoti im,
i Dëshirave dhe Vullneteve -
Ti që me Dëshirën Tënde të çiltër,
Ti që me Vullnetin Tënd të mirë,
Ti që krijove
botën e të Pasurve
botën e të Varfërve,
O Zoti im
i grushtit të Padronëve,
i kurrizit të Punëtorëve...

O Zoti im,
Ti që na dhe të gjitha Vyrtytet,
Ti që na dhe të gjitha Veset
dhe në kurmin tonë
i mbolle të gjitha Mëkatet (Tua)...

O Zoti im
i Shëmtive,
i Bukurive:

O Zoti im,
Ti kurrë nuk mërzitesh për Mëkatarët,
Ti kurrë nuk mërzitesh për Ziliqarët,
as për Gjakatarët,
as për Tradhëtarët...

O Zoti im i Paqes,
O Zoti im i Luftës,
O Zoti im i Natës,
O Zoti im i Ditës,
O Zoti im i Errësirës,
O Zoti im i Dritës,
O Zoti im i Ëndrrave,
O Zoti im i Shpresave...

O Zoti im -
kurrë i përbuzur,
kurrë i përrulur,
as mposhtur,
as i mundur.

O Zoti im -
kurrë i gënjyer,
kurrë i zhgënjyer,
Ti që vetë kurrë s'gënjen,
Ti që vetë kurrë s'përbuz...

O Zoti im, Zoti ynë i Mëkateve,
Ti që kurrë s'bën asnjë Mëkat,

O Zoti im, Zoti ynë i Krimeve,
Ti që kurrë s'bën asnjë Krim...

Kujt t'i lutem o Zoti im i Ferrit,
Kujt t'i falem o Zoti im i Parajsës,
Engjullit ose Dreqit, o Zot ?!