>
LETERSISHQIP
Nikolin Sh. Lëmezhi

Rritje

"Ai duhet të rritet
e unë të zvogëlohem" (Gjn. 3, 30)

Bimët kanë rrënjët,
kanë një terren të mirë,
duhet t’i prashisim e t’i ujisim
që ato të rriten.
Edhe në ecjen shpirtërore
ka rritje
kur vjen një kuptim
dhe dëshirë për t’u rritur.
Pastrohen gjërat e këqija,
si barishtet në ara,
dhe jemi vazhdimisht në rritje.
Bimët nuk e dinë,
nuk kanë vetëdije se po rriten.
E megjithatë ato zhvillohen:
Ka një proçes rritjeje për to.
Ashtu është për shpirtin:
Ai rritet.
Jam kujdesur për shumë gjëra
në jetën time:
Tani do të kujdesem edhe për rritjen.
Çfarë kënaqësie
t’u pres koka këtyre gjarpërinjve shpirtërorë:
Gëzim që shkon duke u rritur!

përshtatur në gegnisht nga Ndrekë Zalli:

Bimët kanë rranjët,
kanë nji terren t’mirë,
duhet t’i prashisim e t’i ujisim
që ato të rriten.

Edhe në ecjen shpirtnore
ka rritje
kur vjen nji kuptim
e nji dëshirë për t’u rritë.

Pastrohen gjânat e këqija,
si barishtet në ara
e jemi vazhdimisht në rritje.

Bimët nuk e dijnë,
nuk kanë vetëdije se po rriten.
E megjithatë ato zhvillohen:
Ka nji proçes rritjeje për to.

Ashtu asht për shpirtin:
Ai rritet.

Jam kujdesë për shumë gjâna
në jetën teme:
Tani do tkujdesem edhe për rritjen.

Çfarë knaqësie
t’u pres krenat ktyne gjarpinjve shpirtnorë:
Gëzim që shkon tu’ u rritë!
Shkodër, më 10. 07. 2022
Kur Heshtja flet, Poezi,
Enti Botues 《Gjergj Fishta》, Lezhë, Gusht 2022, 84.