>
LETERSISHQIP

Po Pritet Të Dalë Dielli

Natën kur të gjithë flenë,
toka egërsohet nga dhimbja e ditës,
fjalët e mbledhura andej-këtej,
priten për t’u zëvëndësuar me të tjera molusqe.
Më kot malet ulen,
për të ndihmuar kodrinat,
që banojnë më poshtë.
Nuk ka ngelur gjë,
veç hirit dhe erës së djegur.
Tani dhe zemrat kanë dalë nga trupi,
qajnë e qeshin si për inerci të ironisë,
me qesëndi vështrojnë shpirtrat,
që vetëm kur flenë kuvendojnë,
nga frika e premtimeve të zbrazura.
Vetëm gjuhët jetojnë si duhet,
janë zgjatur pak si tepër,
peshohen çdo mëngjes,
kur ndahet shapi nga sheqeri,
edhe tingulli vjen si i babëzitur,
ngre kordat për të rrëzuar
pelerinat e fisnikëve.
Sot dituria jeton vetëm në majë të malit,
edhe pse grerëza që flenë pranë një kërme,
aviten me shpresën e ndonjë hoji.
Po pritet DIELLI,
që thonë se do dalë pas “mesnate”…