>
LETERSISHQIP
Shaban Abazi

Lexo Vargjet

Lexo vargjet që i shkruaj
Veç për ty nga dheu i huaj,
Sa herë gjumi që më zgjon
Unë për ty po mendoj.

Të lashë larg jo me dëshirë
Mora rrugë të vështirë,
Vitet bashkë që kaluam
Dhe familje bashkë krijuam.

Ishin ditët e rinisë sonë
Që s’i ndërroj me asgjë,
Jetë e mirë dikur rinore
Ditë të lumtura dhe gazmore.

Lutjet e mia për çdo ditë
Jeta ime të ketë dritë,
Ti e dashur bashkë me fëmijë
Ma freskuat atë rini.

Unë nga zemër kisha uratë
Jeta jonë të jetë e gjatë,
Mos të kemi lot, as robëri
Të jemi bashkë, plot dashuri.

Jetë dikur e rinisë sime
Iku shpejt pa dëshirën time,
Tani prapë unë jetoj
Por atë kohë nuk e shijoj.

Vitet ikin s’kanë të ndalë
S’e kam rininë si më parë,
Dita-ditës ndiej pleqëri
Të lashë ty, të humba rini.

Ndoshta ti më kupton
Nuk ishte kjo dëshirë jonë,
Që mora rrugë të kurbetit
Të jemi larg njëri-tjetrit.

Të premtoj, gruaja ime
Të kthehem gjallë në shtëpinë time,
Ta kujtojmë dikur rininë
E së bashku ta ndajmë pleqërinë.