>
LETERSISHQIP
Shaban Abazi

Mollë E Kuqe

Mollë e kuqe, mollë e shenjtë
Ku e ke trungun, ku i ke rrënjët?
Ngjyrën e kuqe ku ma ke
A qëndron ende mbi dhe?

‘Rrënjët unë ende i mbaj
S’kam mundësi të lulëzoj,
Më ka humbur diku trungu
Rrënjët dikush m’i lëkundi.

Dikur herët kam lulëzuar
Shumë miq unë kam takuar,
Kam ushqyer shumë kalimtarë
Trima të pushkës dhe atdhetarë.

E kam mbajtur shtizën e flamurit
Ma hijeshonte ai mua trungun,
Ngjyrën e kuqe që unë kam
E mora nga Flamuri Kombëtar.

Kur iku populli me flamur
Të gjithë i gostita me nga një mollë,
Më premtuan se prapë do kthehen
Të mos mërzitem që mbeta vetëm.

Unë e fortë shumë qëndrova
Popullin mirë e kuptova,
Nuk më lanë që s’i gostita
Por nga luftërat e nga frika.

E kujtoj unë gjyshin tim
Kur më tregonte për historinë,
Merrte në dorë një mollë të kuqe
Me vaj në buzë më shpjegonte.

Ja biro, e sheh këtë mollë!
Kjo për ne është simbol,
Ngjyrën e kuqe që kjo mban
E ka nga gjaku i trimave shqiptarë.

Atje te Nishi kur luftuam
Me dhunë shkau u dëbuam,
Na dëbuan nga trojet tona
Mu atje është ende ajo molla.

Mos harro e mbaje në kokë
Edhe atje është Kosovë,
Është Kosova tani Lindore.
Deri te rrënjët e kësaj molle’.