>
LETERSISHQIP
Timo Flloko

Bisedë Me Ajnshtajnin

Pse nguten njerëzit në jetë pa pushim
kur i pret fundi fatal?
A ka formulë që kohën ta zgjasë,
ta kthejë mbrapsht,
ta ngrijë e ta ndalë?
Përgjigjja e Ajnshtajnit,
profetike,
e saktë,
si një lëvizje në shah,
pyetjes time pa takt,
shpërfillshëm i bën mat:

"Lëvizja kohën zgjat!"

Pyes veten:
Ka një kufi shkenca,…
sensi i saj, fuqia,
teksa … Ajnshtajni thotë:
"Imagjinata është më sublime se dija."?!

Ndoshta, më kot, nga dobësia,
pasiguria në vete,
rrekem të kuptoj ç’fsheh sekreti,
koncepti vrasës
i relativitetit:
Kjo jetë e brishtë, e përkohtë,
e shkurtër si një shi veror,
një ditë ndal, si gjethi këputet,
(Për shpëtim as Zoti s’na i dëgjon lutjet.. )
Pse vdekja mizore
të jetë e përhershme,
kur relative është çdo gjë absolute?

Duket se Ajnshtajni, këtu m’i mbyll shtigjet,
I ngurosur në mur, hesht e s’jep përgjigje.
Ç’të thotë tek e fundit,
S’mund të flasë së koti,
Jeta, përjetësia,
Janë domen i zotit!