>
LETERSISHQIP
Timo Flloko

Lejleku Misterioz

Kujtimit të nënës
Kur pyeta njëherë nënën si erdha në botë,
"Të ka sjellë, – më tha, – mbi krahë një lejlek".
Shtegtar ëndërrova të bëhem atëherë,
Udhën e lejlekëve qiejve të ndjek.

I parritur ende s’e rrokja kuptimin,
Qiellor të jem, bëja habi me vete,
Mbi krahë shpendi ardhur se nga ku,
Ndoshta nga hiçi, përtej kësaj jete.

Në zgrip të gjumit një natë beft u çova,
U nisa për rrugë misterin të prek,
Të fshehtën të zbuloj, folenë misterioze,
Nga ku më kish sjellë në jetë ai lejlek.

Humbi sensi i kohës, kufijtë, largësitë,
U enda botës, m’u duk sa për dy jetë,
Por kurrë nuk e gjeta ku fshihej enigma,
Miti i krijimit, Grali im i Shenjtë..!

Largësitë braktisa, endjet horizontesh,
Kur shpresat i humba, m’u shfaq një vegim,
Ai imazh hyjnor që më pat thënë nëna,
Lejleku shtegtar qiejve në kthim…-

Në kulm të natës më çuçuriti në veshë,
Disa fjalë të një gjuhe që s’kuptohej lehtë,
Mbi krahë të solla, me krahë po të marr,
Si shpirtra njerëzit, vijn’-e-ikin në jetë!