>
LETERSISHQIP
Tyran Prizren Spahiu

Kombi

Dëshmojnë gjurmët e hershme,
kujtojnë periudhën e paleolitit të mesëm,
mbështjellur me dhunë, torturë, anarki e mundim,
kohë të gjatë stuhitë kanë goditur Arbërinë,
ja pra, sot penda insiston,
pasardhësit duhet të shfletojnë të kaluarën.
*
Ju ftoj kujtesën, u gjetën vegla prej guri,
mbretëronin, dialektet geg verior, ai tosk jugor,
që nga neoliti vend i banuar,
ja pra, mburremi me lashtësinë e fiseve ilire.
*
Ndodhi ndarja tek romakët
bizantët jashtëzakonisht të etur për pushtet,
shekujt e erës së re,
ngujojnë trevat denbabaden Ilire.
*
Durrësi e Principata e Arbërit,
shkallëzim i ri ndodhi gjatë sundimit të Carit,
ujdia me ardhacakët e carin zullumqar,
u shtyp lashtësia shekullore,
sërish terr na solli shekulli i XIV, pesëqind vjeçar.
*
Sot, nuk di ç'ndjesi është?
afaristët, demagogët, akademikët e kush mundet,
jetësojnë formulën, skllavi punon, pronari pasurohet,
një pjesë e kombit traktatin ende vazhdon,
pa përtesë të vrapon pas të zgjedhurëve të kuvendit të Kombit të vobektë,
ndjekur nga afaristët e heshtur, ndonjë pa diplomë të fakultetit.
*
Jo, jo, mos gjyko, ke votuar,
disa me kostume odash të veshur,
mbase burrërinë kanë harruar,
idhtësia pas portës së harresës ju pret,
për tmerret e bërë pagesa bëhet në këtë botë,
por dhimbja pandërprerë do i mirëpret në ferr!
*
Or bablok, tarllabuq, përsëri je mashtruar,
sërish dhe sërish pyetjet vazhdojnë
ç'ndodhë në oborrin e shtetësisë?
Shqisat normale nuk kuptojnë,
truri edhe më pak percepton,
shëmti e ngjyrosur me premtime rrënqethëse,
aktrojnë zgjuarësi,
premtojnë dritë e mbarësi,
aktrojnë jetë kurrë të kuptuar!!
*
Mjegullirë, ftohtë në zemër përvoja pëshpërit,
dëgjo me sytë,
mendo me xhepa, shohë me veshët,
mos më thuaj se jam Zyrtar i Shtetit!
Sheh,
pompa thith gurëzit e Trepçës,
vepron shiriti i shpërlarjes,
smeraldët kalojnë në zyrën e qeverisë e kryeministrit.
*
Ç'mision kanë kameleonët e kamufluar?
Pse fshehen prapa kolltuqeve mbretëror?
Thua se janë ndërgjegje rënduar,
zemra do i plas,
bashkëdyzimi i politikës, analfabetizmit, injorancës,
turpërojnë e nuk turpërohen,
përqeshin rinisë letargjinë,
nuk i dojnë afër pensionisët e uritur,
shoqërohen me arsimin e paarsimuar, sjelljen e paedukuar, shëndetësinë e pashëruar.
*
"Bosët" janë mësuar, fare nuk brengosen,
nuk duan ta dinë në ç'gjendje populli frymon,
buzëqeshin maestrot që nuk ngopen,
nxitimthi gllabërrojnë,
pushtojnë postet,
janë të thirrurit e kombit,
artistët e skenës ç’marrëzi, "jetë e kurdisur" sundon.
*
Dëgjohen zëra të shumtë,
sytë hidhen në bregun e lumit të shterur,
vazhdojnë të godasin stuhitë e panjohur,
shpirtrat janë të hutuar,
marrëzi të tillë njeriu nuk bën,
rinia niset rrugës pa kthim,
largohet vetëdija, sinqeriteti groposet
rrënkon krenaria e kombit,
pronarët shkulin inteligjencën,
skllavët territ dorëzohen,
rrugë e pakthim u tregohet arbërit.
*
Në kuvend bien tupanat e përçarjes,
grindësit e vëllazërisë festojnë,
ndërsa në kuloare, fshehur pas perdes së miqësisë,
armatim të përkryer e kanë besën,
i fundit atu, aty banon në kokën e dyfytyrësisë.
*
Pllaka e gdhendur në parlamentin e Kosovës,
shkronja të përhershme mbretërojnë,
kushdo që fiton ashtuquajturi "atdhetari" sundon,
në ballë qëndron flamuri i vëllazërisë,
janë betuarit e skllavërisë,
pranë deklaratës panoja e barazisë frymon,
murali, eh murali reflekton popullin e lodhur gjatë historisë.
*
Or komb durimtar,
Populli, ligjet që zhurmaxhinjëve nënshtrohen,
varfërisë e pasurisë rrugët e jetës nuk kryqëzohen,
ja edhe lashtësia tenton të kthehet në rrugën e mbarë,
por historia e pagëzon kohë e sundimit të egër,
kohë e nënshtrimit Arbëror.

*
Në hyrjen maestrale tek skena e demokratit,
panoja me shkronja të arta idealistin kujton,
pandeh "mos thuaj të vërtetën,
ndjenjat kurrsesi mos ia ngacmo,
bota drejtësinë nuk duron",
doemos shtizat e shkronjave anashkalojnë ligjëvënësit!"
*
Askush nuk është i kursyer,
asgjë si dje nuk frymon,
rolet ndryshojnë,
herë herë edhe shkronjat fuqishëm sulmojnë,
ai këtë nuk vëren,
nga pasja e tepërtë është i verbuar.
*
Dje, thura ''elozhe'' për doktorin e Pazarit,
ngrita në qiell diplomën e "merituar"
në qenien time gëzonte respekt pa shoq,
vallë, vonë kuptova!
Truri i tij i fuqishëm,
vazhdon mjetet të mos derdh ne sistemin bankar,
abazhure blen, vendos pllakën e krenarisë,
për zyre ka nevojë,
dy-tre paga të majme,
punësime fisnore, xhirrollogari të fshehur,
kombi kuptoi, zh/merituarit sundojnë nën pullazinë e kuvendit.
*
Janë faraonët e shekullit,
milenium kur kur ligjvënësit përpunojnë premtimet,
popullit autoritetin nëpërkëmbin,
prore binë lodrave të bajraktarizmit,
fanatikët mendje mesjetar, vet ironia e kombit.
*
Unë shkronjave dorëzohem,
jetoj në qetësinë e kohës së dëshpëruar
larg nga mburrjet e pashembulltë,
ndihem i pavarur, më se i qetë,
kjoftë drejtor, kuvendar, ambasador, poste të rrëmbyera,
asnjërit nuk nënshtrohem.
*
...në ballë të kombit, kreshnikët letrar,
ka kohë politikjanëve i kanë thënë lamtumirë,
vrazhdësinë nuk e njohin,
vetëm, dhe vetëm Kosovës përkulen.
*
Sot, or burrë i dheut,
hap edhe një ke nevojë të bën,
largo përfituesin,
pangopurinë industrialist,
arkitektin e turpit,
gjelbrimin "opium"
abuzuesit e fëmijëve jetimë,
dhunën ndaj gruas, apokaliptikët e kombit.
*
Pohoj idealist nuk jam,
Mbase edhe të shtrijë dorën lypsarit,
patriot i flaktë nuk tentoj të bëhem,
pranoj edhe të jetoj në kohën e Migjenit,
doemos një ditë vargjet do jetësojnë amanetin.
*
Errësira dëshmon,
Pangopuri u zë me dorën në thesar,
krimos, pastro ndërgjegjen e ngarkuar,
peshë e rëndë është, fuqi nuk ke të duron,
sulmon pandërprerë,
netëve të gjata të mundon, papritmas shpërthen në krahëror.
*
Imazh i vrazhdë, në katin e parë,
hetuesia e vargjeve voton për miqësinë,
kolltuqet ndan bajraktari,
burrëria e fisnikëria kokëulur më se të zhgënjyer largohen,
listat e votave fisnor vlerësohen,
gjithandej paguhen me drekë,
mbase sanduiçe ‘a la’ argatë,
ahhh, ndërgjegje e turpëruar,
ehhh, burrëri e vrarë, dinjiteti i gjynjëzuar!
*
Ehhh, dobtësi e imja që ndjen dashuri pa kufi për kombin,
deri kur do më rëndon lukthin,
varfëron e banalizon buxhetin,
përfundimisht finalizon bujarinë!
*
Pyetem pse or Dardan, paedukata të bën drejtor,
edukata gjysmë e mesëm kuvendar,
përfundimisht e larta të avancon në qeveritar?
*
JU lutem, kujtoni, zonjën e shtëpisë, nënëloken e bekuar,
bukën e përgatitur,
sofrën ka kohë të shtruar,
sundon imazhi i duarve të plasaritura,
*
Për padrejtësitë e bërë, diskriminim
frikësohem,
ndër shekuj gjaku i derdhur i martirëve do i mallkon.
*
Respektoj olimpin e miqësisë,
kohë kur natyrën virtytet sublime dritëzojnë,
shkronjë-pasionantët, piktorët, artistët e përsosmërisë,
nënshtrohen atdheut, ndjesisë së të bukurës,
admiroj rininë e kombit,
atdhetarët që besnikërinë e kanë besë,
përshëndes burrneshat e çiltërsisë, burrat e Fjalës.
*
Ardhmëri të mbarë or shqiptar i anashkaluar,
sytë vështrojnë xhepin, sofrën, nesërmen e zbrazur!
...pëshpëritja dëgjohet,
jehona tej Alpeve Shqiptare përhapet,
vërtet, më se e vërtetë,
poezia, urtësia nuk vrasin,
nuk gjunjëzojnë as ndëshkojnë,
ato hapin rrugë për miqësi të sinqertë!
*
Tani, ShqipNjë shkruan e kupton!
Shkronjat nuk janë mulliri i erës,
brezave i takojnë, do lexojnë brezat.
*
Populli im, lejo mirësia të hap portat e miqësisë,
ngroh zemrat e rinisë,
dije, e shkurtë është kjo jetë,
thesari për kombin kurbanizohet,
lejoni dora e zemërgjërsisë nevojtarit të begaton tavolinën,
ju lutem, posi nuri që shkëlqen që tani ushqeni fisnikërinë,
kujtoni kohën, pikturoni ndjesinë,
hap lehtë, në dorë lapsin, kokëulur, duke mërmëritur,
bohemi u largua të takohet me SHPRESËN!