>
LETERSISHQIP
Vaso Dushi

S'di Ç'është Dashuria!

Ai që sot, dorën ta shtrëngon
Dhe ndërsa i buzëqesh, pandeh
Se ti çmendurisht e dashuron
Hiç fare nuk të njeh!

Ti s'di dashuria ç'është..,
Në krah, të duhet një njeri
Një gjoks, ku kokën ti ta vësh
Por s'është dashuri!

Dashuria e madhe është, si det,
Gëzim e paqe të sjell...
Por ti mbi faqe të detit shket,
S'ia sheh fundin e thellë!

Ajo dorë që tënden shtrëngon,
Fare mirë, mund të qe një tjetër
Për ty njëlloj është, kush vjen, kush shkon
Nuk qan dashuri të vjetër!

Dhe kur të shoh rrugëve që buzëqesh,
Në dorë të tjetrit, dorën tënde vije
Mendoja dikë që shumë të desh,
Por ti dashuria ç'ish, s'dije!