>
LETERSISHQIP
Vaso Dushi

S'mundem Të Harroj!

Po a mundem të të urrej,
Ty, që të desha aq fort,
Nga e shkuara, sytë të kthej,
Të të shoh, e mos derdh lotë?!

A mundem, një vajze tjetër,
"të dua" me gaz ti them,
Kur në shpirt, kam plagë të vjetër,
Edhe zemrën e kam helm?!

Kur tej e tej, re e zezë
Zemrën ma ka pushtuar,
Kush, sërish, do ma rindezë,
Në shpirt, flakën e shuar?

Ku do gjej forcë përsëri,
Tjetër vajzë të dashuroj,
Kur mëndjen kam, veç tek ti,
Dhe dot s'mundem të harroj?!