>
LETERSISHQIP
Vaso Dushi

Pas Kaq Vitesh

Ti më prite aq ftohtë,
Dhe sytë s'mi hodhe fare,
Dikur, për mua, derdhje lotë,
Të ndrisnin sytë si zjarre!

Më the:"S'je për mua,
Kështu s'vazhdojmë dot më..!"
Dalngadalë, gjithçka u shua,
U ndanë rrugët, përgjithnjë!

Shpejt more udhën tënde,
Udhë të gjatë, që s'kish kthim
Si qiell me re, vënde vënde,
U bë i zymtë, shpirti im!

Dhe dashurove ti të tjerë,
Të lozje, qeshje nise prapë,
Pas rrebeshit, plot me erë,
Për ty, qielli flakë u hap!

Unë të mendova, të mendova
Ditë e natë, papushim
Tjetër dhe unë dashurova,
Plagët mbylla me mundim...!

Sot në rrugë, të takova
Pas kaq vitesh, më në fund
Mbeta shtangur, u drodha
Zemra si fletë mu tund!

Por ti sytë i hodhe tutje,
Dhe një fjalë s'më the, asgjë..
Të të jepja, veç një puthje,
Dhe të të humbja, përgjithnjë!

Por si e huaj, u largove
Ece rrugës, me nxitim.
"Dikur më dashurove...
Lamtumirë pra shpirti im!"