>
LETERSISHQIP
Albert Zholi

Jo, Edhe Ujin E Detit E Morëm Hua...

E ktheu gotën e birrës me një frymë, e përmbysi edhe një herë shishen me dy gotat dhe vazhdoi:

Para një muaji zura punë në një zdrukthtari. Aty punonte edhe një shqipo tjetër...Sa mori vesh që dhe unë isha shqiptar, ai më pa me inat...Epo kjo pikë e zezë, thashë me vete. Unë u gëzova që gjeta një shqiptar që të punojmë e të qajmë hallet ky?... Ky më mban kokën mënjanë...

Të nesërmen e përshëndeta: Mirmëngjes Spiro! Se Spiro e flisnin.

" Kalimera", ma ktheu Spirua, sikur i kish ngrënë gomari bukën...

Mbas disa ditësh Spiroja nuk erdhi në punë se ishte i sëmurë... Kur u ulëm për të ngrënë drekë, pronari më thotë:

-Shtëpinë e ke kompletuar? I ke marrë televizor, frigorifer, lavatrice?...

-I kam marrë iu përgjigja.

-Po si bënit në Shqipëri pa këto mjete kaq të domosdoshme?

-Unë i kisha edhe në Shqipëri.

-Si?

-Pse habiteni, shumica i kishin në shtëpitë e tyre...

- Po Spiros unë ia dhashë të gjitha paisjet, më tregonte se në Shqipëri nuk kishin as krevate për të fjetur, pa le nga këto gjëra... Po domate, speca, portokalle, mjaltë kishit?

Unë qesha. E si të mos qeshje me ato që dëgjoje?... Spirua i kish thënë se nuk kishim as brekë dhe pronari i besonte ose kish qejf ta besonte...

-Pse qesh? Do të thuash se i kishit dhe këto?- foli pronari për domatet e specat …

-I kishim, por jo gjatë gjithë vitit …

-Atëherë pse erdhët këtu, kur I kishit të gjitha?, foli si I zemëruar pronari.

-Që të bëjmë punët tuaja, - ia ktheva dhe unë me atë ton…

-Po plazh kishit?

Ia dhashë një të qeshur sa më dolën lotë nga sytë … " E po sikur vijmë nga shpellat?", mendova. Por fajin nuk e kish greku, por Spiro" Kalimera"

-Jo edhe ujin e detit, tani që u hapën kufijtë e morëm nga ju... i thashë me të qeshur grekut. Ku ta dinte ai se unë në det zhytesha nga dritarja e shtëpisë...





"... Ka hidhërim edhe në gotën e dashurisë më të lumtur..."

FRIDRIH NICE