>
LETERSISHQIP
Ardi Omeri

Natën, Dashuri!

Kënga heshti,
Qielli pushoi së buçituri!
Diku më tej në heshtje,
në shpirt ngulur një shkreptimë…
Një lule e sapo dhuruar vari kokën...
Copëza ngjyrash, nga lot i kripur, zbehen...
Magjia e natës refuzon të ndriçojë botën
Notat mbi pentagram në vaj kthehen...

Gjithshka përsëritet mjerisht si dikur
Rrotullohet mbi një lule të rrallë, Orkide!
Një dhuratë me shpirt çmuar,
Nga më të bukurat lule, një e rrallë variete!

Hesht Qielli dhe nxihet i pazot të ndërhyjë...
Ka parë shumë në përjetësinë e Tij!
Diku më tej mbi re të heshtura gri
Po shkruhet me pika loti një e mjerë poezi...

Kënga do të flasë për të rinj e të vjetër...
Të shpërthejë në mllef për të pafytyrë e ziliqarë!
Por notat janë pa zë dhe germat shuhen mbi letër...
Qielli hesht i pazot të qetësojë një poet të marrë...

Rinis të ndjehet zhurma rutinë
Janë pika që dëgjohen me një ritëm
Pik, pik, pik…
Janë lot…
Qielli u nxi,
Hëna dhe yjet fikën dritën…
Natën Dashuri!