>
LETERSISHQIP
Arqile Garo

Trilogji Hyjnore Me Epilog

ose: muhabet me Petrit Rukën

introduktë

KAM NJE MENDJE

Duke ndejtur e mejtuar këto punë të Shqipërisë,
kam një mëndje: pse s’ i futem shtigjeve të priftërisë?!..
Të vesh rason e lëvduar, t’ i vë kokës kamilaf,
e të ha veç gjellë të zgjedhur, mjaltë e arra e pilaf?!...

T’ i lëshoj mjekrën dhe flokët të më varen tatëpjetë,
e të heq dorë nga mëkatet e nga tërë kjo palo jetë.
Ta pi ujin të bekuar nga burimet e Sopotit,
të ndihem i rehatuar, me demek t’ i qasem Zotit!

E të bredh mbi kalë të zgjedhur nëpër kisha, manastirë,
të bekoj delet e zotit buza - gas e gjithë dëshirë.
Plot me frymë të shenjtëruar të mbush fusha e lumenj,
me aromën e temjanit të tymos mal’ e shkëmbenj.

Të këndonj libra të lashta, të jem thjesht një dijetar,
të bëhem porsi Fan Noli, një i mënçur mërgimtar?!
Të rrëfej e të rrëfehem në emër të perëndisë,
e të mos ja kem nevojën ministrit e qeverisë?!

Se, të themi të vërtetën, ç’ të na bëjë dhe Zot’ i shkretë,
po s’ i dhamë një dorë dhe neve ta shkërdhejmë këtë planet?!
Ja pra, që të shenjtërohesh nuk na qënka kot, dëshirë,
por një kontribut i vlyer, sakrificë, por dhe detyrë.

Sepse kleri, mik i dashur, nuk është vend për pallë e gjumë,
ta fut tjetri si pa dashur: "është për popullin opium!"
ndaja priftërinjtë përleshen plot me dreqër e shejtanë,
neve nuk na del për vete, duan dhe këta të hanë!...

Pa do bëhem unë një dhjak, të ma ketë zili dhe Lushi.
Kush je ti të lutem shumë?! - Mbylle gojën, je askushi!
Po mos u mërzit i dashur, mos e ul kokën or trim,
hec e nxirr dorën nga xhepi, pa do keç bekimin tim!

E që mos lë shteg të flasin se s’ u dirsa, s’ u kërlesha!
Mu si prind do të kujdesem për vejusha e murgesha,
për jetimë e për të varfër, për arhondë e pasunarë,
predikime të hatashme, llogje e llafe me kandarë…

Do të jem i butë, i drejtë porsi burrat e qëmotit,
me shelegët e kopesë që kanë shkarë nga udhë e zotit,
por ama i pamëshirshëm me mashtrues, hileqarë,
me hajdutët e çdo klasi, të pabesë edhe zuzarë.

Kur për punë mos ma ketë ënda, do bëj xhiro kot së koti,
kujt ja mba të më heqë veshin? "- Ja që k’shu e deshi Zoti!..."
Pa të vijnë dhe deputetët e të më kërkojnë uratën,
që t’ u ecin drejt premtimet e ta kenë të mbarë fushatën.

Të kërkojnë frymë të bekuar se qysh të mashtrojnë miletin,
të mbushet dhe arkë e kishës, që t’ ja ndjej dhe unë lezetin,
pa, kur t’ i kenë rrjepur votat e të kenë vendosur rendin,
prapë tek unë do vijnë të falen, t’ u këndoj dhe Parlamentin.

Kur të vrasin njëri tjatrin unë t’ u prij nëpër varrime,
që t’ u psall davanë e fundme në ato çaste sublime,
t’ i përcjell në botën tjatër porsi burra të nderuar,
që për k’të vatan dhanë jetën e ç’ kishin tjetër të çmuar!...

Zot i madh, i Plotfuqishëm, qysh më the: "Ç’ më rri si qift?I
Ngreju vish rrobat e shënjta edhe shko!... të bëneç prift,
sepse kjo dynja jallane n’ atë post të ka nevojë,
ndryshe me mënden që paske do mbetesh me gisht në gojë!"

Të premtoj, i Madhërishëm, që do jem prift i vërtetë,
mirënjohës do të ndihem, hëm këtu, hëm n’ atë jetë.
Do jem një Papu i këndshëm, plot vullnet, po dhe karizëm,
dhe po më tepruan lekë: Do t’ të ngrë dhe një konizëm!...

Arqile Garo
Janninë, 15 mars 2015

(intermexo e parë, reagimi)

Petrit Ruka - Hahah, e mrekullueshme, Leo, poezia! Të lutem më merr edhe mua si biçim dhjaku a sekretari, se në majë të hundës më ka ardhur kjo papunësia.
Të premtoj, i Madhërishëm, që do jem dhjak i vërtetë, mirënjohës do të ndihem, hëm këtu, hëm n’ atë jetë...Amen! Dhe mos u tremb që jam bektashian në origjinë, se ne bektashinjtë jemi kripto orthodhoksë të lindur dhe muslimanizmin e kemi varak te cilësisë së tretë...

LETER ME DERGOI PETRITI

Më dërgon letër Petriti e më thotë jam i papunë,
jam mërzitur, thotë i shkreti, - të besoj i gjegjem unë.
E tek po e mblidhja mënden t’u hyj punëve të fesë,
Tit vëllai!... më thotë Zoti, të të bëj dhe ty një ftesë.

Hiç nuk ke nevojë i dashur të ndroç besë, pse të ta fsheh?I
Unë mejtoj se s’ ke rrugë tjatër veç dhe Ti të bëneç Sheh.
E siç janë tërë Alevitët, gjysëm kripto – ortodoksë,
rrase taçin e nderuar siç dhe unë kryqin mbi gjoks.

Pa do dalëm mik i dashur që të dy si pelegrinë,
unë do predikoj Shën Pjetrin, ti lëvdo Abaz Alinë,
do kalojmë nëpër katunde mbi dëborë e ndënë shi,
do vëllazërojmë miletin, të krishterë me bektashi.

Kalorës nga kohë e shkuar, mbushur vrull dhe ideale,
Don Kishoti e Sanço Pança në lugina, brigje e male,
të vërtetën lakuriqe ta rrëfejmë, për njerëzinë,
nëpër shpella e në kasolle, ti skenarët, unë regjinë.

E të shoç, poet i dashur, se si do na thuret miti,
-Dilni njerëz se po vijnë: papa Garo e sheh Petriti!
Pa do na pleksen legjenda, do ndrijë skena dhe ekrani,
të tërbohen ziliqarët, të pëlcasë Gole Jovani!

Do dalën dhe maluketër që do të na shajnë, jezitë!
Do të thonë: ti lab i poshtër ç’ bën krushqi me Dropullitë?!
Ç’ kërkon greku nd’ anët tona, ç’ do qafiri, vagabondi?!
Po për k’ ta kemi përgjigje: Ja u kthen vetë baba Mondi!

Ballëlartë, të papërunjur, në gëzim, në dhimbje e zi,
do ta lartësojmë k’ të popull me vargje dhe poezi.
Përmbi skena provizore, në këmbë, a ulur në bisht,
do gjëmojnë sonetet labe, si në shqip dhe në greqisht.

Mos ul kokën Petrit djali, merr avdes dhe nisu, dil!
Këtej s’ ke nevojë për pare, ngrënë - e - pirje i kemi qyl.
E sa për ato të tjerat mos ça kokë, ka perëndia,
ne s’ kemi pse vrasim mendjen: Qoftë lëvduar Poezia!

Arqile Garo
Janninë, 16 mars 2015

(intermexo e dytë, obligimi)

Petrit Ruka - Oh, sa kam qeshur, more Garo i dashur! I shihja si në film këto skenat e mrekullueshme që ke krijuar dhe ec e ec krah për krah mbi gomar ne të dy, nga Kurveleshi në Dropull. Ec e prediko, pi raki e mish dhe beko njerëzinë si klerikë sarhoshë. Dhe vvuuu harmonia fetare tek viset tona pagane, që vetëm për fe nuk dëgjojnë nga veshët fare. Pa le kur mendoj se mund të merrnim edhe Gole Jovanin si dhjak nga pas të na mbante edhe rakinë edhe zahiretë e tjera. Uh, sa kam qeshur dhe mos vdeksh kurrë që në tërë këtë gri jete të poshtër, vjen e na sjell një dromcë gëzimi. Të përqafoj o prift klasik, unë shehu Petrit Ruka, dora vetë me taç jeshil mbi kokë e me gomarin e rrugës për dore!

FEJA VETE!
(në vijim të letrës dërguar Petrit Rukës….)

Petrit, po të nis një pusullë, ke për të vdekur nga gazi,
mora vesh se i papunë është prej vitesh dhe Ed Mazi.
Dhe duke zgjeruar mënden së fundmi i dhashë karar:
ta bëjmë frat edhe së bashku t’ i futemi punës mbarë.

E kupton Petrit i dashur, a merr vesh i shtrenjti mik?
sa do të na shtonte vlerën: një Ed Maz, një katolik?
Në ato bredhjet e famshme në lugina e në stane,
do jemi një treshe e çquar e jo thjesht një çetë profane…

Do më thuash: ore Garo, pse i le jashtë myslimanët?
Hë pra, ja të pyes tia: njeh ndonjë të mirë nga tanët?
Eshtë përgjegjësi e madhe e s’ e mbaj dot në kurris,
se të merr kryeministri, të thotë: nisu për Paris!

Ndaja them, duhet kujdesur, t’ i peshojmë mirë në kandar,
se ndryshe na rrezikohet uniteti kombëtar.
Një gabim sado i vogël do na menderoste fare,
e do vente në esfel toleranca jonë fetare.

Pa, një hoxhë në mes tënë do na bënte goxha punë,
do përfaqësojmë tërë kombin! Po atë thom edhe unë!
Ndaj fillo, nis hulumtimet, lëri punët e mëdhaja,
dhe po nuk të del Tirana, hidhu tutje, nga Kavaja.

Sa për Edin, unë i tëri, çohem dhe hidhem në zjarr,
që do jetë një dom i shquar, një klerik në vijë të parë,
e këto që po të them nuk është se i pashë në ëndërr,
po mos qe djalë për të qënë, do ta bënte Rrapua dhëndër?!

Këtë plan që vetë mejtuam le ta bëjmë realitet,
tani e kuptove shprehjen: "e kaluam feja vetë?!"
Do prehemi që të katër në sofër të Perëndisë,
e do jemi balli i kombit, krenari e Poezisë!

Lëviz vendit Petrit miku, kërko hoxhën se na duhet,
vepro shpejt se do dalë llafi dhe do marrën vesh se ç’ luhet,
pa do ngrihen plot të tjerë, kush e di ç’ mavri me bojë,
e do mbetemi lum miku: si gjithmonë, me gisht në gojë.

Arqile Garo
Janninë, 16 mars 2015

EPILOG

Doli rrugëve Petriti, gjeti punë, ka me se merret,
kërkon kandidat për hoxhë, një që të përmbushë kriteret,
jo ky s’ bën, jo ky nuk mbush, tjetri rri e thëthin llullën,
"- Ore Petja pa dëgjomë, pse nuk marrim Pëllumb Kullën?!...

Dhe ai pa punë prej vitesh, mbeti si gjethja në erë,
Zembljakiot, Korçar i dukur, djalë i mirë, me karakter,
ka trashëgimni fetare, ka shkruar skeçe me kile,
me ballistë, me priftërinj, hoxhallarë që bënin hile.

S’ është i keq, dëgjomë dhe mua, le t’ ia nisim dora dorës,
se Pëllumbi, mik i dashur, i njeh rrethinat e Vlorës,
në guroren e Kaninës ka qenë «gurëgdhendës», mjeshtër,
«na» e çuam për ta «ndrequr» por ai… avaznë e vjetër.

Shkrojti libra, bëri drama, parodi e komedi,
regjisor me nam në Fier, ti mos bëj sikur s’ e di.
Pa le kur tregon qyfyre, anektoda e gazmore,
të të çkulë zorrët e barkut pse mbart frymën popullore.

Do kemi një hoxhë të mbarë, mos e merr me të përpjekur,
ndreqim dhe biografinë, mes nesh: një ish i përndjekur,
pastaj mos harrojmë, lum miku, se ka qenë dhe diplomat,
në Berlin e në Nju Jork, pos dhe dhëndër në Berat.

E po me gjithë k’ to merita është gjynah mos jetë me ne,
që të japi kontributin për atdhe, për nder dhe fe,
bjeri celularit, shkunde, të niset një orë më parë,
e dimë që humb Amerika, por ne ndihemi krenarë!

E përfytyron Pëllumbin të mbajë xhybe, çallmë në kokë,
e të marrëm udhëkryqet që të katër lidhur, tok,
e mos më thuaj i dashur s’ bëjmë për film e për theatër,
njëlloj si "Tre mosketjerët", se edhe ata… qenë katër!...

Pa do kooptojmë parullën: "gjithë për një e një për t’ gjithë"
që mos thonë gojët e liga: "Shih ata që flenë në bithë!"
Mblidh pajimet Petrit djali, bëji shokët pranë e pranë,
të dalëm për aventyra e të çudisim dynjanë…

Kur të vemë në një sofra Jezusin dhe Muhametin,
e në mes baba Tomorin që t’ u ngasi muhabetin,
ne pranë tyre porsi nxënës, si ushtarë edhe dishepuj,
të çojmë fjalën nëpër popull e të na nderojnë në shekuj…

Ta harrojmë qytetërimin, obllomovizmin ibret,
pa të shoç si do na ndjekin princeshat e Dylqinetë,
nisu sa pa çelur gjethi, të ndjejmë flladin e pranverës,
mbrapa na vjen historia, para janë mullinjtë e erës…"
Janninë, 28 mars 2015