>
LETERSISHQIP
Avni Azizi

Letër Për Një Ministër

Zoti Ministër!

Deri sa durimi i varfër nuk është humbë plotësisht
Dhe betimi, drekat, zotimet ende nuk kanë të sosur
Porsi një kalendarë në zyrën tënde prej lëkure
Ku klasorët e mbufatur dhe të renditur sikur presin
Për tu nisur apo për tu kthyer nga rrugët pa pritje
Sikur udhëtimet dhe përurimet që janë si një kupolë
Mos i merrni për keq këto vargje të shqetësuara
Ju dhe ata që ju përcjellin nga suita që ju shoqërojnë
(Gati përherë poezia e lë poetin në shkretëtirën
E dëshirës e të dhembjes
Dhe jo atë kënaqësisë së tij)

Punët tuaja të mira më shumë se deklarimet
Porsi një llambë vajguri duhet ndriçuar çdo shtëpi
Dhe qytetarët kur ulen për darkë pastaj ju dëgjojnë
Pa përulur dhe pa shmangur shkëlqimin verbues
Për të ecur nesër krenarisht rrugëve të atdheut
Për të soditur denjësisht plazhet, trotuaret pemët
Maternitetet, spitalet dhe varrezat...
Ndërkohë Zoti Ministër!
Lisave të parëve u bie dielli horizontalisht
Ju të jeni në fluturimin më të shpejtë se drita
E vetmja për të ndërtuar një vetëdije të fortë
Mënyra më e ndershme që do hap çdo portë
Zoti Ministër!

Plotësoni gjithë formularët me ngjyrën e ujit
Mbi tavolinën tuaj të punës pa hije të zgjatura
Shkruaj dhe thirr në emra me zërin më të lartë
Për të shlyer përgjithmonë nocionin e lart-poshtë
Dhe poshtë-lart sikur shëtitje nëpër labirinte
Sikur shiu kur bie dhe fryn erërat me zemërim
Dhe nuk janë dritaret që duhet refuzuar mbyllur
Kur ka plagë shumë të dhimbshme për ti shëruar
Të lidhura me fasha të bardha të vjetruara
Sikur retë formë kërpudhe që shkëlqejnë
Si shpirt dhe botë e djegur

Zoti ministër!

Don Kishoti është vetëm një histori
Një histori dashurie e madhe dhe e pamundur
Që jep dhe asgjë nuk merr nga ajo
Dashuri humane që ai me ajrin bëri dyluftim
Sikur gjithë dashuritë e gjithë botës si një pako zjarri
Si hiri i një krateri që mbulon edhe malin
Në luginën e lotëve në këtë botë të shtrembëruar
Gjithçka do merr ngjyrën e pandershmërisë
Deri sa vjeshtat identike e të zverdhura
Kanë zëvendësuar gjelbërimin e harlisur të prillit
Ani se njëqind herë më tepër premtime
Mund të kenë ofruar hijen dhe freskinë e verës

Zoti Ministër!

Ne nuk jetojmë në Greqinë e shekullit V para Krishtit
Ku qytetarët me dekret ishin të obliguar
Për të harruar…
Këtë harresë si parën e kuqe harroje
Ngase kujtesa është vend i shenjtë pa kufij
Ajo herët a vonë të mbanë pezull të godet
Të lartëson në mbamendje apo edhe të vret…