>
LETERSISHQIP
Dhimiter Nica

Lëndime Shpirti

Kur gjethet këputen në vjeshtë,
më dhemb shpirti,
(pavarsisht se do vijnë në pranverë,
nga ricikli...)
Kur pemët i presim me sopatë,
më dhemb zemra,
(pavarsisht se dimrit nuk rrimë dot jashtë
e duam pak zjarr brenda...)

Kur flokët më ikin një e nga një,
nuk më prishet punë fare,
bien pa më lajmëruar, pa zhurmë e zë,
tulla lexohet si kopertinë abetare...
Kur dhëmbët krimben e hiqen me radhë
dhe te dentisti vendos të rinj,
(më besoni, çdo gjë nuk është si më parë,
gënjej po t'ju them, se kalova mirë...)

Më dhemb shpirti kur shkel një milingonë,
qortojë dikë, kur këput një lule pa lejë...
Sot bota si kazani në zjarr po valon
dhe është gati si vullkani të shpërthej...
Ata njerëz si varg milingonash,
sot, kush mund t'i shpëtojë?!
Po ata fëmijë që nxjerrin dallgët në breg,
a ka zemra në botë, që lëndojnë!?...